Kristian Eriksen do ta pranonte me kënaqësi transferimin te Real Madrid. Mesfushori danez e kishte ëndërr të vishte fanellën e bardhë në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’, por duket se ëndrra këtë herë nuk do të plotësohet. Dhe kjo sepse, Reali nuk do t’ia lejonte vetes një tjetër transferim mbi 100 milionë paund, si ai për Eden Hazard.
Por nga ana tjetër, nëse madrilenët vendosin të bëjnë një sforco dhe të shpenzojnë sërish, atëherë bëhet fjalë vetëm për Pogba. Francezi është dëshirë ekskluzive e trajnerit Zidan, dhe drejtuesit e ‘Los Blancos’ do të kërkojnë ta përmbushin. Nga ana tjetër, presidenti i Totenhemit, Levi nuk pranon të nisë bisedime nën 100 milionë paund për xhevahirin e tij.
Sakaq, në këtë mes mund të përfitojë Mançester Junajtid. ‘Djajtë e Kuq’, shohin te Eriksen zëvendësuesin e Pol Pogba, i cili në ditët e fundit duket pranë rikthimit te Juventusi. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse danezi pranon transferimin në Mançester, duke qenë se këta të fundit në sezonin e ardhshëm janë jashtë Champions League.