Historiania dhe dizajnerja e modës nga Travniku i Bosnjë dhe Hercegovinës, Esma Imsirpashiç, ka ripopullarizuar me dizajn modern për gra fesin, i cili sot përdoret vetëm nga ansamblet e valleve popullore. Fesi, i cili në Bosnjë dhe Hercegovinë filloi të përhapet në vitet 1800, sado që të përdoret nga ana e meshkujve, përdorej edhe në mesin e femrave si aksesuar. Imsirpashiç, e cila ka ndjekur gjurmët e historisë së modës, ka sjellë këtë traditë të harruar në ditët e sotme, duke e interpretuar atë në mënyrë moderne.
Në krahasim me pëlhurën e kuqe klasike të fesit, ajo ka përdorur pëlhura me ngjyra të ndryshme, duke i shtuar edhe karfica zbukurimi modeleve të ndryshme dhe rruaza, kështu, duke i ofruar një pamje moderne. Imsirpashiç punon si arsimtare e historisë në Medresenë e Elçi Ibrahim Pashës në Travnik, ndërsa në kohën e lirë ajo përgatit fesë “të modifikuar”, siç thotë ajo, në punishten e saj të vogël që ka krijuar në një qoshe të shtëpisë së saj. Ajo ka hedhur në shitje fesët me markën që ka krijuar, “Feslook”, kurse porosi merr nga segmente të ndryshme të shoqërisë.
“ÇDO GJË ËSHTË PUNË DORE”
Imsirpashiç punon tetë orë për ta përfunduar një fes të vetëm. Për Anadolu Agency (AA) ajo thotë se nuk përdor asnjë makinë në përgatitjen e tyre dhe se çdo gjë bëhet me punë dore. Ajo thekson se në fillim ka pasur pak vështirësi të gjejë materialet e nevojshme për bërjen e fesit. Si historiane, Imsirpashiç thotë se e konsideron të rëndësishme të mbart një objekt tradicional të së kaluarës në ditët e sotme, duke shtuar se fesi gjithnjë është përdorur nga gratë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ajo shprehet se në të kaluarën, fesi ka qenë “modë qytetare e grave boshnjake” dhe se aktualisht merr komente shumë të mira për fesët e “modifikuar” që i ka krijuar. “Shpresoj që fesi të jetë një trashëgimi që do t’i vendosin nënat dhe do t’ua lënë vajzave të tyre. Fesi është kësulë që nuk ka kohë dhe që është nevojë e sotme”, tha Imsirpashiç, duke theksuar se ajo ka larguar atë nga të qenët një pjesë e ansambleve të valleve popullore dhe e ka transferuar në rrugë.
“PËRPIQEM QË DASHURINË PËR TRADITAT TA ZGJOJ TE BREZAT E RINJ”
Imsirpashiç thotë se është i vetmi person në Bosnjë dhe Hercegovinë që bën këtë punë dhe se nuk ka në shitje produkte të ngjashme me fesët e saj, duke shtuar se çdo produkt e dizajnon në mënyrë të veçantë sipas kërkesave të klientëve. Sipas saj, fesi sot përdoret në organizime të ndryshme të modës në New York. Siç thekson ajo, sado që fesi të përdoret nga femrat që veshin veshje tradicionale, ai mund t’i interesojë secilit që kujdeset për veshjen. Duke theksuar se përmes orëve dhe fesëve që prodhon përpiqet që te brezat e rinj të zgjojë dashurinë për të kaluarën dhe traditat, Imsirpashiç shprehet: “Nxënësit i sensibilizoj rreth asaj se gjërat e mira të së kaluarës sonë mund të përdoren edhe sot duke i rigjallëruar”.