[adning id="476476"]

Divorcet që po shkatërrojnë edhe fëmijët

43

“Jemi të shqetësuar që fëmijët i përjetojnë këto ngjarje, pasi këto përjetime kanë pasoja të rënda në zhvillimin e fëmijëve dhe personalitetit të tyre. Lidhur ngushtë me këtë problem, është edhe problemi i rrëmbimit të fëmijës nga njëri prej prindërve të divorcuar, një problem që për herë të parë pas një kohe të gjatë u raportua disa herë në linjën telefonike SOS në gjysmën e parë të vitit 2021”, thonë nga Megjashi

Zenel MIFTARI

Shkup, 24 korrik – Për gjashtë muaj, nga 223 ankesa, gjithsej 151 raste të shkeljeve të të drejtave të fëmijëve ka regjistruar Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”. Shkeljet më të zakonshme, siç thuhet në raportin më të ri të “Megjashit”, i referohen kategorisë së marrëdhënieve brenda familjes apo raportit midis prindërve dhe fëmijëve. “Shkelja më e zakonshme është moslejimi për të takuar njërin prind gjatë procedurës së divorcit dhe mosrespektimi i vendimeve të Qendrave për Punë Sociale. Ndërkohë shkelja tjetër e rëndë është ndalimi i të drejtës së fëmijëve për t’u strehuar në institucione shtetërore si qendra sociale, shërbime shëndetësore dhe shërbime të tjera, që pasojnë me probleme në lidhje me shëndetin mendor, shkollën dhe shëndetin fizik të të miturve”, thuhet në raport. Nga “Megjashi” thonë se përsëritja e shkeljes së të drejtave të fëmijëve për të takuar njërin nga prindërit e divorcuar dhe ankesat që vijnë nga telefonata e linjës SOS, është njëra nga arsyet se përse ata bashkë me Avokatin e Popullit, mbështesin nisma për aktivitete të përbashkëta të prindërve.
“Jemi të shqetësuar që fëmijët i përjetojnë këto ngjarje, pasi këto përjetime kanë pasoja të rënda në zhvillimin e fëmijëve dhe personalitetit të tyre. Lidhur ngushtë me këtë problem, është edhe problemi i rrëmbimit të fëmijës nga njëri prej prindërve të divorcuar, një problem që për herë të parë pas një kohe të gjatë u raportua disa herë në linjën telefonike SOS në gjysmën e parë të vitit 2021”, thonë nga Megjashi. Ndërkohë kjo organizate ndër vite ka lobuar për zbatimin e Konventës së Hagës mbi aspektet ligjore civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve, të cilën Maqedonia e Veriut e ka nënshkruar që në vitin 1991. “Prandaj, në rastet e rrëmbimit të fëmijëve nga njëri prind, autoritetet janë të detyruara të veprojnë në përputhje me Konventën dhe kështu të kontribuojnë në respektimin e interesave më të mira të fëmijës. Gjatë aksionit dhe ofrimit të mbështetjes, ekipi i linjës telefonike SOS shpesh ka bashkëpunuar edhe me Qendrat për Punë Sociale, veçanërisht me ekipin e ndërhyrjes në Qendrën e Shkupit, si dhe qendrave nga qytetet e tjera, Departamentin e brendshëm në MPB, shkollat, Lidhjen e Avokatëve të Rinj, Koalicioni për Gjykim të drejtë si dhe organizata tjera të cilat janë të përfshira në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, nënvizojnë nga Megjashi.

Nga atje gjithashtu thonë se gjatë ndërmarrjes së aktiviteteve për zgjidhjen e problemeve, janë vendosur kontakte dhe bashkëpunim me organizata, shërbime dhe institucione të tjera. Sipas tyre, në pjesën më të madhe – bashkëpunimi ishte i suksesshëm dhe është gjetur një zgjidhje. “Problem shtesë për shoqërinë tonë është mungesa e trajnimit të duhur të punonjësve në Qendra sociale që merren me trajtimin e fëmijëve”, përfundojnë nga Megjashi. Ndryshe, sipas raporteve dhe telefonatave në linjën SOS, edhe këtë vit ashtu si viteve të kaluara, është vërejtur një numër i vogël i raporteve nga zonat rurale në krahasim me rastet e paraqitura nga zonat urbane. Arsyet e mundshme për këtë mund të jenë mungesa e informacionit nga qytetarët që jetojnë në zonat rurale, mënyra dhe procedura për mbrojtjen e tyre, si dhe promovimi i pamjaftueshëm i linjës SOS në këto zona. (koha.mk)