A mund të ndodhë që funksionarët e tillë të mos propozohen edhe për një mandat? Për këtë pyesni aparatçikët pa tru, të cilët bëjnë lobime të forta që funksionarët e dinjitetshëm të largohen nga listat kadrovike dhe në vend të tyre të mbesin ata vet, sepse vetëm jokonkurrenca i nxjerr ata të pa lagur në brigjet e punëve të premtuara dhe kurrë të mbaruara. A thua liderët tanë cilën anë do të mbajnë?
Nga Emin AZEMI
A ka të ngjarë që zhvillimi ekonomik e social në nivelin komunal të paguaj tagrin e “politikave të mëdha” që i kanë udhëhequr tash e disa vite deputetët e ministrat e garniturave të ndryshme qeverisëse? Shumë projekte të premtuara e të pafilluara kurrë, shumë të nisura e të pambaruara asnjëherë, janë pasojë e mosdefinimit të qartë të strategjive qeveritare për të rikthyer resurset e zhvillimit ekonomik e social në nivel komunal. Mungesa e një etike të mirëfilltë politike që kishte prodhuar premtime pa mbulesë, ka demotivuar në përmasa shqetësuese çdo individ që do të kishte dëshirë të investojë në vendlindjen e tij. Premtimet zakonisht bëheshin në prag të zgjedhjeve, kurse politikanët e papërgjegjshëm vazhdonin ta “kullotnin” mandatin me projekte (fiktive) madhore për qumështore, thertore, tjerrtore e baritore. Politikanë të tillë edhe sot ndeshim nëpër tribuna parareferendumiane, duke tundur në ajër projekte mashtruese që si sedativ gjumëndjellës injektojnë lojalitete të zorit e të hallit.
Asnjë parti politike në këto dekada nuk ndëshkoi politikanët mashtrues në radhët e veta. Përkundrazi, madje pati edhe shpërblime për ndonjërin që pastaj ishte detyruar të vijë tinëz, në orët e mbrëmjes, në fshatin e tij si pasojë e mospërmbushjes së premtimeve spektakolare. Është habi e madhe si apratatçikë të tillë të pasuksesshëm iu bëjnë përshtypje liderëve partiak të cilët vazhdojnë të mahniten me mospunën e ndonjërit prej tyre. Të padëshiruarit e fshatrave e lagjeve tona, ende vazhdojnë të qëndrojnë si ushujza nëpër listat kadrovike të liderëve tanë. Këta të fundit nuk po arrijnë të lirohen nga hipnozat që vijnë prej individëve të cilët ende ‘kriter zotësie’ kanë refuzimin e ndonjë intelektuali a profesionisti, sepse vetëm në mesin e intelektualëve e profesionistëve apratçikët tanë pa tru ndjehen keq.
A mundet të ndodhë që të bëhet ndonjë projekt i hairit që për autorë të ketë ndonjë aparatçikë pa tru? Ata që besojnë se kjo mund të ndodhë, vazhdojnë të na bindin se partia e tyre megjithatë po del fituese në zgjedhje, por harrojnë se këto janë fitore që nuk çojnë kurrfarë peshe në konkurrencën e mirëfilltë të ideve që sjellin progres ekonomik, kulturor e arsimor. Një parti mund ti fitojë zgjedhjet 100 vjet me radhë dhe kjo të mos reflektohet fare në dimensionin lokal të jetës së njerëzve, sepse banorët sërish vazhdojnë të marrin para nga të afërmit e tyre në kurbet për të mbajtur gjallë ekzistencën familjare. Një parti që fiton zgjedhjet, mund të jetë diçka pozitive për jetën e disa funksionarëve bashkë me familjet e tyre, dhe kjo nëse nuk përkthehet në impakt të përgjithshëm kolektiv, atëherë i bie që ajo fitore ka një funksion tepër të reduktuar që (pa)zotësinë profesionale e kthen në lojalitet të gërditshëm ndaj partisë që siguron vetëm mirëqenie individuale por jo edhe kolektive. Fatbardhësisht ka edhe përjashtime. Ka edhe funksionarë që fitoren politike nuk e konsideron privilegj, por obligim për të bërë më shumë për bazën prej nga vjen. Ka edhe funksionarë të dinjitetshëm që përveç pagës mujore nuk e fut dorën edhe në thesin e pistë të tenderëve e dallavereve.
A mund të ndodhë që funksionarët e tillë të mos propozohen edhe për një mandat? Për këtë pyesni aparatçikët pa tru, të cilët bëjnë lobime të forta që funksionarët e dinjitetshëm të largohen nga listat kadrovike dhe në vend të tyre të mbesin ata vet, sepse vetëm jokonkurrenca i nxjerr ata të pa lagur në brigjet e punëve të premtuara dhe kurrë të mbaruara. A thua liderët tanë cilën anë do të mbajnë? (koha.mk)