Evis HALILI
Shkup, 15 nëntor – Përvjetori i 109-të i Kongresit të Manastirit këtë vit për herë të parë do të festohet ndryshe. Edhe pse simbolet kombëtare, pankartat dhe afishet për programin festiv ende nuk janë vendosur, shkruan gazeta KOHA. Një javë e plotë me aktivitete që do të ngjasin nga 14 deri më 22 nëntor, përgjatë ditëve kur është zhvilluar Kongresi që përcaktoi alfabetin që do të përdorej për gjuhën shqipe. Aktivitetet kanë filluar në bashkëpunim me Muzeun e Alfabetit, Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, si edhe Ministrisë së Kulturës. Por, si ngjarjet më kryesore janë vizita e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, delegacioneve nga ministrive të kulturës nga Kosova e Shqipëria, si edhe koncerti gala me të cilën do të mbyllet kjo javë. Kolonia artistike që nisi të martën shënoi hapjen zyrtare të siparit të manifestimeve që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve në bashkëpunim edhe me shoqatat dhe shoqëritë kulturore të qytetit.
“Manastiri ka nevojë që kjo datë e shënuar për shqiptarët të mos jetë vetëm një apo dy ditë. Ideja që kjo festë të shënohej me aktivitete po aq ditë sa zgjatën edhe punimet ka lindur dy vjet më parë, por që nuk është realizuar për shumë arsye, sidomos për të mos provokuar incidente. Kjo festë këtë vit po vihet në një vëmendje më të madhe, por po ashtu mund të them se edhe vetë interesi për muzeun ka ndryshuar, është më i madh, i vetë njerëzve që e vizitojnë si nga vendi, ashtu edhe nga jashtë. Por, këto organizime shërbejnë edhe për popullsinë shqiptare që të festojë këtë ditë ndryshe, me hapur dhe siç e meriton. Jo rastësisht insistuam që edhe të riaktivizojmë një prej shoqërive më të vjetra, Bashkimi, si pjesë të programit. Shqiptarët jetojnë të shpërndarë në Manastir, jo të gjithë fëmijët frekuentojnë mësimin në gjuhën shqipe, kështu do të kenë mundësi të shoqërohen, dhe ne përmes tyre të ruajmë dhe kultivojmë traditat tona”, thotë për KOHA, drejtori Nuer Arsllani. Sa i takon aktiviteteve, Nueri shton se janë marrë masat që të mos ketë incidente. Kjo edhe për shkak të vizitës së presidentit Meta, më 21 nëntor, i cili do të vizitojë edhe komunën. Më 21 do të zhvillohet edhe një tribunë shkencore, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë në Shkup, si edhe Institutit Albanologjik dhe Historisë nga Prishtina e Tirana. Për 22 nëntor, manifestimi që nis në Shkup me mbledhimin e doajenëve të arsimit në SIMO do të vazhdojë për në Muzeun e Alfabetit, ku në darkë në hotel Epinal do të mbahet një koncert gala, me pjesëmarrjen e Filarmonisë “Ibrahim Madhi” së Akademisë së Arteve në Tiranë. Ndërkohë që vetë muzeu ndodhet në një situatë të ngjashme për gati dhjetë vjet me radhë, sa i takon kontestit pronësor. As nga SIMO dhe as nga Ministria e Kulturës nuk kanë arritur që të gjejnë mundësitë që ambientet e shpronësuara të muzeut t’i rikthehen. I vetmi lajm i mirë për këtë vit është miratimin e projektit për rikonstruktimin e plotë të godinës nga fondet e IPA, projekt ky që është shtyrë për të filluar në fillimin të muajve të pranverës. (koha.mk)