Dr. Asani shprehet i bindur se manifestimi “Ditët e Alfabetit”, përveç vazhdimësisë, sivjet për herë të parë ofron edhe disa risi, duke filluar nga vetë titulli, i cili tash e tutje do të jetë i përhershëm, me mbështetje dhe legjitimim institucional-shtetëror, por edhe për faktin se ky manifestim kësaj radhe vjen me një nivel më të lartë akademik e kulturor
Shkup, 13 nëntor – Në organizim të ITSHKSH – Shkup, nesër në Manastir hapet manifestimi, tash më tradicional, ‘Ditët e Alfabetit’, i cili do të zgjasë deri më 22 nëntor të këtij viti. Për të qenë sa më madhështor ky manifestim, drejtori i ITSHKSH, dr. Skender Asani, ka ideuar një agjendë mjaft përmbajtësore, ku do të përfshihen disa aktivitete që ndërlidhen drejtpërdrejt me shënimin e kësaj ngjarjeje historike, siç ishte Kongresi i Manastirit.
Do të ketë promovim librash që për herë të parë zbardhin detaje nga historia e lavdishme e Kongresit të Manastirit, siç është vepra kapitale dy vëllimshme e dr. Xhevat Lloshit “Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit”, “Lëvizja Protestante te shqiptarët, 1816–1908”, e autorit David Hosaflook, pastaj botime me karakter tjetër, siç është libri studimor i dr. Vlado Popovskit Vllado Popovski, & Lena Zhila, ”Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare në vitet e ’20 dhe ’30 të shek.XIX”, “Biseda me Omer Kaleshin” i autorit Luan Starova, si dhe do të organizohen debate shkencore në nivel akademikësh nga mbarë bota shqiptare dhe rajonale.
Dr. Asani shprehet i bindur se manifestimi “Ditët e Alfabetit”, përveç vazhdimësisë, sivjet për herë të parë ofron edhe disa risi, duke filluar nga vetë titulli, i cili tash e tutje do të jetë i përhershëm, me mbështetje dhe legjitimim institucional-shtetëror, por edhe për faktin se ky manifestim kësaj radhe vjen me një nivel më të lartë akademik e kulturor. Kjo dëshmohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha akademive shqiptare të shkencës , me çka arrihet të dëshmohet në praktikë synimi i ITSHKSH-Shkup për të sjellë në vëmendje të gjitha të arriturat dhe prurjet në fushën e studimeve albanologjike.
ITSHKSH së shpejti do të themelojë Qendrën e trashëgimisë kulturore të familjes Qiriazi, sepse, sipas dr. Asanit, kjo familje, përpos që është amza shpirtërore e materiale e Kongresit të Manastirit, ishte edhe anticipuese e një procesi të rëndësishëm kulturor e arsimor tek shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar, por edhe hallkë e fuqishme e lidhjes me civilizimin Perëndimor, sidomos me SHBA. Me hapjen e kësaj Qendreje, si dhe me inicimin e shumë ideve që ndërlidhen me historinë tonë kulturore, dr. Skender Asani pretendon se edhe një rajon siç është Pellagonia po përfshihet në procesin e rigjallërimit kombëtar, ndërkohë që vëmendja publike po rikthehet si në kohën e Kongresit të Manastirit, atëherë kur për herë të parë në historinë e shqiptarëve ndodhi bashkimi gjuhësor, një faktor mjaft i qenësishëm që i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1912. (koha.mk)