Ditë të zeza për turizmin

194

Turizmi vendor pritet të jetë një sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit. Analizat e ekspertëve vlerësojnë se në varësi prej efekteve të masave qeveritare, prej 2000-12 mijë punëtorë në turizëm do të humbin punën nëse kriza zgjat deri në fund të këtij viti, ndërsa humbjet financiare do të ishin mbi 200 milionë dollarë apo gjysma e të ardhurave të planifikuara. Njëherësh, në rastin e parë – rikuperimi apo kthimi në gjendjen e vitit 2019, do të ishte në vitin 2023

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 13 gusht – Kriza ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi ka zvogëluar edhe fitimin e bankave në vend. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë fitimin e bankave prej afër 18.7 milionë euro të bankave në tremujorin e parë të këtij viti, që paraqet një ulje prej afër 12.3 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Më së shumti kjo ka të bëjë me vonesat në pagesat e kredive. Me fjalë të tjera, raporti i Bankës Popullore tregon se sektori bankier vendor edhe në tre muajt e parë të vitit ka vazhduar të punojë në mënyrë profitabile, por me një fitim dukshëm më të ulët për 39.6 për qind.

“Një ulje e tillë e rezultateve në tremujorin e parë të vitit 2020, rrjedh nga harxhimet e dyfishuara për anulimin e vlerës (para së gjithash të kredive jofunksionale) që kanë filluar të rriten nga muaji janar i këtij viti. Në periudhat e ardhshme pritet që të rriten edhe më tej harxhimet e anulimit të vlerës, duke marrë parasysh presionet për përkeqësimin potencial të cilësisë së portfolios së kredive të bankave, si pasojë e pandemisë globale të Kovid-19”, thuhet në raportin e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë. Njëherësh raporti tregon edhe rritjen e harxhimeve operative që ka ndikuar në uljen e fitimeve të bankave në tre muajt e parë të këtij viti. Rritja e kredive që nuk kthehen me kohë apo që kanë problem me kthimin pas 90 ditësh – shumë pak ka të bëjë me qytetarët dhe kryesisht ndërlidhet me biznesin. Në tre muajt e parë të vitit, kreditë me probleme janë rritur për 841 milionë denarë apo 6.6 për qind tek firmat. Sipas veprimtarive, rritje më e madhe shënohet me 695 milionë denarë në industri dhe më pak në tregti.

Nga ana tjetër, nga Sektori i turizmit thonë se dëmet më të mëdha do ti fillojnë ti numërojnë në fund të muajit shtator, kur do të dihet edhe më saktësisht në shifra edhe humbjet e turizmit vendor si rrjedhojë e anulimit të dasmave, ahengjeve tjera dhe ardhjes së turistëve të huaj. Njëherësh, mbi 11 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar vauçerët për turizëm të shtetit kryesisht në Strugë dhe Ohër. Të martën, Qeveria me propozim të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, vendosi edhe ndryshimin e protokolleve për kryerjen e udhëtimeve ndërurbane dhe ndërkombëtare për pasagjerët me autobusë si kërkesë e esnafit të turizmit, ku në vend me 50 për qind, do të lejohen 75 për qind të plotësimit të kapaciteteve të autobusëve. Agjencitë turistike dhe transportuesit paraprakisht kanë kërkuar bartjen e udhëtarëve me 100 për qind të kapaciteteve. Agjencitë turistike kërkojnë edhe subvencionimin e pagave, ndërsa thonë se kanë nevojë për ndihmë nga shteti për të mbijetuar, në të kundërtën – 5000 punëtorë do të ngelen në rrugë.
“Kërkojmë deri në fund të vitit të marrin 14.500 denarë dhe kontribute të paguara për çdo punëtorë turistik pa kushtet që kanë ekzistuar deri më tani. Po ashtu, kërkojmë subvencione dhe ndihmë të pakthyeshme për çdo firmë, e cila mund të ketë likuiditet deri më 2020. Ne kërkojmë të mbijetojmë këtë vit, që në vitin 2021 klientët tanë të munden t’i vizitojnë destinacionet e rezervuara”, thonë agjencitë turistike. Në të kundërtën, pas 15 gushtit do të vazhdojnë me protestat, kërcënojnë ata. Gjithashtu, punonjësit turistik ankohen edhe për shfrytëzimin e vauçerëve. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se të gjitha agjencitë e licencuara të udhëtimit që duan të punojnë me vauçerët e turizmit, kanë mundur të regjistrohen në platformën “Pushime në vend” deri më 10 gusht 2020. Në këtë mënyrë, qytetarët që kanë marrë vauçerë turizmi, përveç kapaciteteve të akomodimit, do të jenë në gjendje t’i përdorin ato edhe përmes agjencive të udhëtimit që do të regjistrohen në platformë.

Nga ky dikaster thonë se vauçerët që janë lëshuar si zëvendësim për paratë e paguara për udhëtime e që janë anuluar për shkak të pandemisë, mund të shfrytëzohen edhe në Maqedoni, në rast se agjencia turistike që i ka lëshuar – ofron aranzhmane edhe në vend. “Në dispozitë theksohet se vauçeri mund të shfrytëzohet për aranzhmanet për të cilat pajtohen të dyja palët – klienti dhe agjencia. Në rast se agjencia ofron aranzhmane në Maqedoni, ato mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët që kanë vauçera. Ekzistojnë më shumë shembuj të tillë”, thonë nga Ministria e Ekonomisë. Mirëpo, një pjesë e agjencive turistike thonë së bëhet fjalë për të holla që janë paguar për aranzhmane të caktuara, andaj vauçerët nuk mund të shfrytëzohen për turizmin vendor. “Kjo nuk mund të realizohet për shkak se agjencitë nuk i ruajnë të hollat në arkat e tyre, por ato i kanë paguar mjetet për vendet ku konsumatorët kanë paguar udhëtimet dhe atje ka pasur qira fikse që ne do ta marrim në vitin 2021. Njëherësh, ne pushimet për pikat vendore turistike i punojmë për një kompensim të thjeshtë”, thotë nga agjencitë turistike.

Ndryshe, turizmi vendor pritet të jetë një sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit. Analizat e ekspertëve vlerësojnë se në varësi prej efekteve të masave qeveritare, prej 2000-12 mijë punëtorë në turizëm do të humbin punën nëse kriza zgjat deri në fund të këtij viti, ndërsa humbjet financiare do të ishin mbi 200 milionë dollarë apo gjysma e të ardhurave të planifikuara. Njëherësh, në rastin e parë – rikuperimi apo kthimi në gjendjen e vitit 2019, do të ishte në vitin 2023. Në skenarin më pesimist parashikohet që, nëse kriza zgjat deri në fund të vitit 2020, humbjet për turizmin do të jenë 4000 deri 20 mijë vende pune, ulje e të ardhurave mbi 80 për qind, ndërsa rikuperimi do të jetë i mundshëm në vitin 2027. Këtë e tregon studimi i fundit për efektet e COVID-19 ku ishin të përfshirë Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, Lidhja e Odave Ekonomike, Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Oda e Teknologjisë Informatike. (koha.mk)