Njëmbëdhjetë vite pas kthimit të tij te Barcelona, Gerard Pique do të rrumbullakosë ndeshjen e 300-të të tij me fanellën blaugrana në La Liga. Nëse aktivizohet në ndeshjen e së shtunës, kundër Real Valladolid, ai do të bëhet “mister 300” i kampionëve të Spanjës në fuqi.
Këtë sezon, qendërmbrojtësi ka luajtur rregullisht, por ditën e sotme do të regjistrojë një shifër mbresëlënëse me klubin e jetës së tij, Barcelonën. Ky “përvjetor” vjen në një moment madhështor të formës së Pique. Ky i fundit është boshti i padiskutueshëm i mbrojtjes katalanase, në kulmin e rendimentit.
Në 299 ndeshjet e luajtura deri më tani në La Liga, me Barcelonën, futbollisti e ka drejtuar prapavijën blaugrana në 130 raste pa pësuar gol. Ai ka munguar vetëm në 6 ndeshje, gjatë kësaj periudhe. Pique ka fituar 226 prej 299 ndeshjeve. Po ashtu, ai ka fituar shtatë tituj të La Liga-s në 11 vite. Rëndësia e tij në historinë e Barcelonës është e qartë.
Një histori, që ai do të përpiqet ta pasurojë më shumë, derisa t’i “varë këpucët në gozhdë”. Në më shumë se një rast, Pique ka pranuar se ambicia e tij është për të marrë një post drejtuesi në “Camp Nou”, në të ardhmen. Talenti dhe popullariteti për këtë nuk i mungon…