Gazetarët e BBC që merren me çështjet e grave në mbarë botën, kanë renditur 8 ngjarje të rëndësishme të këtij viti nga bota femërore. Ngjarje këto që bëjnë vitin 2018 të quhet “Viti i Grave” dhe janë të renditura si më poshtë:
1. Lëvizja #MeToo (Edhe unë) kundër ngacmimeve seksuale ndaj grave.
Kjo lëvizje u dha forcë dhe kurajo grave duke nisur nga Amerika, në mbarë botën. Fushata sensibilizuese #MeToo u bë një fenomen mbarë botëror, por në një vend komunist si Kina, gratë kishin më pak mundësi të luftonin për veten. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi ato. Në Janar Luo Xixi, një grua e diplomuar në Universitetin e mirënjohur të Pekinit, shkroi një letër të hapur në rrjetin social Weibo duke thënë se profesori i tij ishte përpjekur ta detyronte të kryente marrëdhënie seksuale. Universiteti nisi një investigim, pas të cilit Chen Xiaovu u shpall fajtor për ngacmime seksuale dhe u hoq nga detyra. Ndërkohë që një gjë e tillë në Kinë është injoruar më parë. Këtë herë ishte ndryshe
2. Një fushatë në kabinën e avionit
Dy stjuardesa paditën drejtorin e linjës ajrore ruse “Aeroflot” për diskriminim në Shtator duke thënë se i caktoi një pagë më të ulët për shkak të përmasave të tyre trupore. Ndërkohë që shumë vajza të reja aktiviste flasin për rëndësinë e të qënurit sa më shëndetshëm të trupit, shumë njerëz në Rusi ende besojnë se për të qenë e suksesshme, një grua duhet të jetë e re, e dobët dhe seksualisht tërheqëse. Evgenia Magurina dhe Irina Ierusalimskaya e mësuan këtë në një mënyrë të ashpër kur, pas 19 vitesh punë për Aeroflot, rrogat e tyre u ulën me 30% në verë të 2016-s . Të dy stjuardesat e humbën gjyqin e parë, i cili i zemëroi shumë mediat sociale, po më vonë fituan në apel. Gjykata vendosi të detyrojë Aeroflotin t’i paguajë grave rrogën e plotë dhe kompensim për shqetësimin emocional.
3. Të ngresh zërin në transmetim “live”
Konkurset e bukurisë tërheqin shumë audiencë në Amerikën Latine. Konkurse të tilla shihen si mundësi të mira për të gjetur punë që paguhen shumë si: modele, prezantuese televizive, apo të japin mundësinë të udhëtosh jashtë ose brenda vendit. Ndaj ishte një surprizë e madhe kur pjesmarrëset në konkursin e bukurisë në Peru dolën në skenë, jo duke treguar përmasat e tyre trupore, por duke treguar statistikat e dhunës në vend
“Përmasat e mia janë: 2,202 raportime për vrasje të grave në vend: -tha një nga konkurentet
“Përmasat e mia janë: 70% e grave janë ngacmuar seksualisht në rrugë”-tha një tjetër. Ndërkohë që deklaratat u hartuan në bashkëpunim me organizatorët e eventit, shumë nga të pranishmit mbetën të surprizuar, të cilët prisnin një mbrëmje plot argëtim dhe shkëlqim. Disa thanë se konkursi për miss nuk ishte forumi i duhur, por shumica mbështetën këtë lëvizje dhe shprehën solidaritetin e tyre në rrjetet sociale nën moton #MisMedidasSon (#MyMeasurementsAre).
4. Vajza-poster e ndryshimit
Në ditën e tmerrshme të Shën Valentinit, kur ndodhën të shtënat në gjimnazin e Floridas, një vajzë e re organizoi revoltën e saj dhe të shokëve të saj kundër asaj që kishte ndodhur. Me sytë me lot, por shume e apasionuar, 18 vjeçarja Emma Gonzalez kristalizoi indinjatën e gjithë komunitetit që udhëhiqte me një retorikë shumë të pastër drejtuar aty ku duhej.
“Do pyes me shumë gëzim presidentin amerikan Trump: Sa para merr nga Shoqata Kombëtare e Armëve?”-tha ajo duke shtuar: “Ok, do të dish diçka? Nuk ka rëndësi, sepse unë e di. 30 milionë dollarë!”
Si një biseksuale latine, znjsh. Gonzales përfaqësonte shumë nga komuniteti i diskriminuar me ardhjen në pushtet të presidentit Trump.
“Kjo është lëvizja për të cilën ti do të lexosh një ditë në libër”-i tha ajo BBC-së, drejtuar Trump-it ” Ti po i vret fëmijët apo po i mbron ato?
5. Ta thërrasësh në emër një grua apo vajzë
Në një shoqëri konservative si ajo në Afganistan, ta thërrasësh apo identifikosh një grua me emrin e saj në publik, është tabu. Madje është fyerje për burrat nëse mamatë e tyre, gratë, motrat apo bijat e tyre thirren në emër apo u dihet emri nga burra që nuk janë të familjes. Nuk është një ligj, por një barrierë kulturore.
Në publik gratë dhe vajzat thirren me titullin “gruaja e…” apo “vajza e….” një burri. Vjet në Afganistan gratë nisën një fushatë online të quajtur #Ku është emri im, e cila synonte të thyente këtë tabu të mohimit të identitetit të gjinisë femërore. Laleh Osmani, një nga organizatoret e fushatës u motivua të ndërmerrte një nismë të tillë kur u njoftua në Facebook për vdekjen e gruas së një poeti të famshëm. Në njoftim nuk përmendej emri i të ndjerës. Gratë e fushatës kërkuan ndihmën e imamëve të xhamive për të ndryshuar këtë lloj kulture që mohonte identitetin e grave.
6. Një buzëkuq kundër patriarkalizmit
Një rebelim i pazakontë zuri vend në Indi gjatë verës së nxehtë që u pasua me qindra selfie të bëra me gishtin e mesit të ngritur. Filmi në gjuhën hindu “Buzëkuq nën burkën time” doli më në fund në Indi, duke paraqitur jetët dhe dhe dëshirat e katër grave nga një qytet i vogël i Indisë, pas një lufte ligjore që zgjati 6 muaj dhe synonte çensurimin e filmit.
Regjisori i filmit Alankrita Shrivastava, tha për BBC, “Bordi Qendror i Çertifikimit të Filmit është pa logjikë. Ata nuk e kanë idenë e çështjeve gjinore apo politike”
Bollywood-i është kritikuar shpesh për shumë komformist, por kjo po ndryshon. Producentët e filmit, nxorën një poster i cili kishte një buzëkuq në gishtin e mesit të një dore gruaje. Protagonistet e filmit më pas postuan foto të ngjashme duke përdorur hashtagun #Rebelimi i buzëkuqit dhe trendi u përhap me shpejtësi. Për më shumë se një muaj nga shfaqja e filmit, si aktorët dhe publiku (qofshin meshkuj apo femra) postuan selfie me gishtin e mesit të ngritur kundër patriarkalizmit.
7. Jo më martesa me përdhunuesit tuaj.
Në shumë komunitete të kulturës arabe, gratë e përdhunuara shihen si burim turpi për familjet e tyre, ndaj krimi fshihet për të shmangur skandalin. Vajzat nuk lejohen të flasin publikisht për këtë gjë dhe as nuk mbështeten ligjërisht, ndaj përdhunuesit e tyre që janë identifikuar u shpëtojnë ndëshkimit ligjor nëse martohen me viktimat e tyre. Nuk është e thjeshtë të shpjegosh sa e fortë është mendësia patriarkale, por jetohet me një mendësi të tillë që, seksi pa qenë të martuara është e pakonceptueshme për gratë e vajzat. Në shumë kultura, virgjëria është një kusht për t’u martuar.
Verën e shkuar Tunizia, Libani dhe Jordania braktisën ligjin që shpëtonte përdhunuesit nga burgu nëse martoheshin me viktimat e tyre. Kjo është diçka për të cilën aktivistët e vendeve kanë 4 vjet që luftojnë. Në Liban për shembull, më shumë se 30 fustane nusërise të bëra nga fashot ishin varur nëpër pemët e palmave. Egjipti ishte vendi i parë arab që hodhi poshtë ligjin në 1999-n, por ndryshimi vonoi të vinte dhe të tri vendet e ndjenë se ky ishte një çast vendimtar.
8. Një ndalesë e “autobuzit të dhunës”.
Në Korrik të 2017-s tre burra u dënuan me vdekje për grabitje, zhveshje dhe ngacmim seksual të një pasagjereje që kish veshur një fund të shkurtër në një autobuz publik në Kenia. Vendimi i marrë për këtë çështje ishte i rëndësishëm jo vetëm për gratë e Kenias, por të gjithë Afrikës. Kjo ishte një çështje që përfshinte dy aspekte: ngacmimet seksuale dhe grabitjet me dhunë të grave në transportin publik, në një vend si Kenia, ku pjesën më të madhe të popullsisë e zënë femrat. Për shumë gra keniane si Naomi Muaura, aktiviste e protestës “dënimi i grabitësve është një mesazh i fortë që shërben për të luftuar dhunën kundër grave për të jetuar pa dhunë në hapësirat publike e sidomos në industrinë e transportit”
Tre vjet më parë, në Nëntor të 2014-s, qindra njerëz u grumbulluan në rrugët e Nairobit për një marshim historik për të protestuar kundër dhunës seksuale ndaj grave në kryeqytet, pas një video që përmbante sulm ndaj gruas.. Lëvizja u quajt “Fustani im, Zgjedhja ime dhe influencoi vendimin e gjykatës duke u kthyer në një lëvizje botërore.