]Ka qenë unanim qëndrimi i mediave gjigante britanike, ndaj shfaqjes së vënë në lojë në “Estádio da Luz” gjatë derbit të Lisbonës, në mbrëmjen e të dielës mes Benfica dhe Sporting Lisbona, e përfunduar me fitoren e Benficës në shifrat 2-1. Një ndeshje që më shumë se për rivalitetin në fushë mes dy skuadrave, apo koreografinë dhe përballjen e dy tifozerive në tribuna, ka tërhequr vëmendjen për inskenimin e vënë në lojë në momentin kur në përfundim të nxehjes së zhvilluar para ndeshjes, futbollistët e të dyja skuadrave, për tu futur në tunelin që çon për te dhomat e zhveshjes, kanë kaluar mes një “check-in desk” të Fly Emirates, si reklamë e publicitet për kompaninë e fluturimeve ajrore.
Një skenografi kjo që është konsideruar përtej çdo limiti në futboll nga mediat britanike, të cilat e kanë përmbledhur këtë shfaqje si “Dita kur vdiq futbolli”, apo “Futboll, u prefsh në paqe”. Në të vërtetë Emirates Airlines është sponsori zyrtar i skuadrës së Benficas, që konkretisht kryeson kampionatin portugez, pas javës së 13-të, në kuotën e 32 pikëve, 4 më shumë se Porto e vendit të dytë dhe 5 më shumë se Sporting, që është rivali historik.