Evis HALILI
Shkup, 14 mars – Dita e Verës – 14 marsi, një nga datat më të rëndësishme të kalendarit të festave etnokulturore të shqiptarëve, po shkon rrëmbimthi drejt harresës, shkruan gazeta KOHA. Dhe bashkë me të një pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar të shqiptarëve, doket, gjuha arkaike rrezikojnë të zhduken, pohojnë studiuesit. Apo siç shprehej Faik Konica, një prej dokumentuesve të parë të ritualeve të këtyre festave – “të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar”. Nëse kjo festë gjithnjë e më pak shënohet me të gjitha nishanet si dikur, nuk do të duhet edhe shumë kohë që askush të mos kujtohet për të. E tillë ka mbetur edhe për faktin se jo vetëm që nuk ka arritur të dekretohet si festë, por edhe deri para pak kohësh madje as që ka figuruar në Regjistrin nacional të trashëgimisë. Etnologu Izaim Murtezani, punonjës shkencor në Institutin e Folklorit, thotë për KOHA se regjistrimi i kësaj feste, së bashku me simbolikën e saj- veroren, është një hap që të paktën do ta dokumentojë këtë festë si pjesë e trashëgimisë së shqiptarëve. Studiuesi Murtezani thotë se verorja, por edhe shumë rite dhe praktika tjera magjike, si dhe besime të ndryshme që ndërlidhen me festën kalendarike të Ditës së Verës, kanë mbijetuar kryekëput me përmbajtjen e tyre pagane duke mos pësuar ndonjë modifikim që do të ndërlidhej me fetë monoteiste, veçmas me atë krishtere, ashtu siç ndodh me disa festa tjera kalendarike. “Edhe pse nuk festohet, të paktën e kemi të ruajtur në Regjistrin nacional, ku u regjistrua pak kohë më parë. Është fatkeqësi që shqiptarët as që e festojnë këtë dhe të tjerat dhe nuk i kanë më pjesë të kalendarit të festave pagane. Nëse i feston nuk bëhesh pagan, përkundrazi janë pjesë e jona, e të qënurit shqiptar. Identitetin e bën gjuha dhe etnokultura, hiqi këto dhe mbetesh pa identitet identitetit kombëtar. Studiuesi Qemal Haxhihasani thotë se kjo datë mbeti një nga festat tona popullore tradicionale ku shprehen më me origjinalitet lidhjet e thella shpirtërore të shqiptarit me përtëritjen e natyrës, përtëritjen e jetës, botën e luleve, të punës, të pjellorisë. Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve viteve të fundit kanë nisur t’i kushtojnë rëndësi kremteve pagane. Bukurije Mustafa, bashkëpunëtore shkencore e ITSHKSH, pohon se në Maqedoni kjo ditë është festë vetëm nëpër zonat më të thella, në fshatra malore ku banorët janë më të izoluar dhe tradicionalistë. “Trashëgimia shpirtërore është pjesë e jetës të njerëzve ndër shekuj dhe kjo me një ndikim të fuqishëm fetar po çon drejt zhdukjes së tyre. Por, njëherit duhet menduar se kjo trashëgimi paraqet edhe një thesar të pasur etnolinguistik, i cili po qe se nuk regjistrohet rrezikon edhe këtë pjesë të trashëgimisë gjuhësore”, thotë për KOHA, Mustafa. Kjo ditë festohet në formë të ngjashme nga të gjithë shqiptarët – në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri. Verorja, gjalmi i thurur me dy penj të kuq e të bardhë është i njëjtë për të gjithë dhe është një prej elementeve që ka arritur të mbijetojë. Ndërsa zjarret, ndezja e tyre bëhet gjithnjë e më rrallë. Rituali i ndezjes së zjarrit purifikues shpjegohet në dy forma, për t’i dhënë më shumë forcë diellit që të ndriçojë, por edhe për të larguar të keqen. Gratë janë protagoniste të kësaj dite, duke filluar që nga thurja e veroreve, mbledhja e luleve me të cilat zbukurohen shtëpitë, por edhe lahen fëmijët. Dega e thanës dhe fshikullimi i lehtë që iu bëhej fëmijëve presupozonte që ata të “bëheshin të fortë si thana”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.