Shkup, 20 shtator – Me rastin e Ditës Botërore të pastrimit (19 shtatorit), nxënësit e Shkollës së Mesme Private (SH.M.P) “Jahja Kemal” -Strugë në bashkëpunim me Komunën e Strugës kanë organizuar një aktivitet të përbashkët pastrimi, raporton gazeta KOHA.
“Ne zgjodhëm një nga vendet më të ndyra dhe i pastruam plehrat nga aty, pastruam mbeturinat dhe mbeturinat tjera nga plazhi ynë”, njoftojnë nga SH.M.P. “Jahja Kemal”. Në ketë aktivitet përveç nxënësve ishin të kyçur edhe mësuesit dhe disa punëtor të komunës së Strugës. “Gjithkush dëshiron të ketë një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Kështu që çdo copë plehrash që heq, zbulon diçka të bukur. Ai është vendi ynë, planeti ynë dhe përgjegjësia jonë”, ishte porosia e nxënësve nga ky aktivitet.
Ndryshe, Dita Botërore e Pastrimit me aktivitete të ndryshme ekologjike është shënuar në mbi 180 vende në të gjithë botën. “Sot ne u bashkuam me këto 180 vende. Falënderojmë nxënësit, mësuesit dhe stafin e Komunës së Strugës të cilët morën pjesë në këtë ngjarje”, shprehen nga SH.M.P. “Jahja Kemal”. (koha.mk)