28 Nëntori ndryshe njihet edhe si Dita e flamurit. Kjo ditë është një ditë e veçantë për shqiptarët në mbarë botën (jo vetëm në Shqipëri) sepse në këtë datë të vitit 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili në Vlorë.
28 Nëntori i parë arbëror ishte ai i vitit 1443, kur Kryeheroi Ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e ngriti për herë të parë në historinë e këtij kombi Flamurin me Shqiponjën Dykrenare dhe me yllin gjashtë cepësh në mes dy krenash, në Kalanë e Krujës, ku valoi plot 25 vjet. Gjergji, deri në vdekje luftoi me atë flamur në dorë dhe kurrë nuk diti për humbje. Ai flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet, sa Kryeheroi Ynë udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë.
Pas vdekjes së Tij (më 1468), pushtuesit otomanë depërtuan në të gjitha trojet arbërore dhe ia ndaluan valimin flamurit tonë. U dashtën edhe 444 vite pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë ekzode e zbrazje masive të trojeve tona nga qeniet arbërore, derisa rifilloi sërisht valimi i Flamurit të Arbërit. T’i kemi parasysh arbëreshët, që ikën përterj detit, ose në veri (në Dalmaci), me qëndresën e tyre stoike dhe me ruajtjen fanatike të gjuhës, traditave dhe kulturës së të parëve. Qindra mijëra shqiptarë, duke mos mundur ta durojnë terrorin e pushtuesve, kishin ikur në shumë vende të botës – deri në Amerikë, Afrikë, Azi e deri në Australi.
Lufta e Kaçanikut ishte fillimi i kryengritjes mbarëkombëtare për çlirim nga zgjedha pushtuese otomane, që në vitin 1911 – nën drejtimin e Dedë Gjo’ Lulit, ishte zgjeruar në Malësinë e Shkodrës dhe në krahinat fqinje, deri në Shqipërinë e Mesme, për t’u zgjeruar edhe në jug, kështuqë në vitin 1912 ishte përfshirë mbarë Shqipëria – nga Janina deri në Mitrovicë e nga Durrësi deri në Preshevë.
Tashmë vërehej qartë se Perandoria Osmane po kapitullonte, prandaj fuqitë e mëdha të kohës kishin filluar tregtimin mbi tokat që do të dilnin nga kthetrat otomane. Pamëshirësitë absurde kundrejt shqiptarëve, mbi tavolinat diplomatike, nuk kishin fund. Derisa Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi u ishte njohur pavarësia, më 17 tetor 1912 fuqitë e mëdha kishin vendosur që Shqipërisë t’i njihej një autonomi, ende nën varësi nga Turqia. Duke mos përballuar më turpet dhe absurdet diplomatike të fuqive të mëdha, krerët e kombit tonë, që me pushkë e me penë e kishin udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare, kishin vendosur mbajtjen e një kuvendi mbarëkombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e parë të Shtetit Shqiptar. Kryetar i Kuvendit e natyrisht edhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit Shqiptar, u zgjodh Ismail Qemali, i cili, kur po e ngriste Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e Tij solemne, ndër të tjera ka thënë: “Fqinjët tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”. Më shumë se një e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.