Shkup, 5 dhjetor – Dita Botërore e Vullnetarizmit – 5 Dhjetori çdo vit shënohet me aktivitete në lëvizjen e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Në këtë ditë në mbarë botën organizohen aktivitete të ndryshme që t’iu jepet mirënjohje vullnetarëve për kontributin e tyre dhe punën vullnetare për ndihmë dhe mbështetje të kategorive të ndryshme të popullatës të cilat i ndihmon Kryqi i Kuq.
Si rezultat i pandemisë me Kovid-19, dje Kryqi i Kuq organizoi uebinar onllajn për shënimin e Ditës Botërore të Vullnetarizmit nën moton “Për të gjithë vullnetarët tanë”. Presidenti Stevo Pendarovski mori pjesë në këtë ngjarje dhe në emër të Kryqit të Kuq të gjithë vullnetarëve iu ndau Mirënjohje të titulluar “Për të gjithë vullnetarët tanë” për kontributin gjithëpërfshirës në sigurimin e mbështetjes për grupet e ndryshme të prekura nga pandemia me Kovid-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Më lejoni, në emër të të gjithë qytetarëve të ju shpreh falënderim të madh të gjithë vullnetarëve për sakrificën, përgjegjësinë dhe përkushtimin e tyre. E gjithë kjo është veçanërisht e dukshme në këto kushte të jashtëzakonshme në të cilat gjendemi për shkak të pandemisë së Kovid-19, kur na nevojiten të gjitha resurset materiale, mjekësore, por para së gjithash, njerëzore”, porositi presidenti Pendarovski.
Duke e uruar Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, presidenti Pendarovski theksoi se vullnetarët e Kryqit të Kuq të cilët janë të përfshirë në ndihmën e njerëzve të cilët janë në situatë të pakëndshme si rezultat i pandemisë, paraqesin motiv dhe inspirim për të gjithë të tjerët dhe shembull pozitiv i cili e kthen shpresën në njerëzimin.
“Sot, kur gjithë bota lufton me pandeminë, duhet të tregojmë solidaritet dhe përgjegjësi, sepse vetëm përmes vetëdijes së zhvilluar kolektive do të arrijmë progres të përbashkët”, i porositi presidenti Pendarovski vullnetarët e Kryqit të Kuq dhe theksoi se shteti ynë krenohet me të gjitha aktivitetet e tyre të deritanishme dhe kontributin në avancimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve.
Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq shprehën falënderim për presidentin Pendarovski për ndihmën e tij të vazhdueshme në të gjitha aktivitetet sociale dhe humane të organizatës së tyre.
Organizata “Të rinjtë munden” sot me fillim në orën 13:00 organizon ngjarje onllajn në të cilën do të debatohet për aktivitetet vullnetare në bashkësinë tonë, për qëndrueshmërinë e aktiviteteve dhe mundësive vullnetare dhe për atë se çfarë mbështetje iu nevojitet vullnetarëve. Krahas ekipit të “Të rinjtë munden”, do të jenë edhe Irina Janevska kryetare e Shoqatës për Inovacione Sociale ARNO dhe Nikolla Jovanovski, vullnetar, aktivist, ithtar për mbrojtjen e mjedisit jetësor, anëtar i BD i “Të rinjtë munden”.