Dita Botërore e Shëndetësisë, marsh nga studentët e mjekësisë në Tetovë

Shkup, 6 prill – Nën sloganin “Shëndet për të gjithë” në Tetovë u mbajt marsh nga studentët e fakultetit të mjekësisë. Studentët marshuan nga rektorati deri në qendër të qytetit. Ata porositën qytetarët që të jenë të kujdesshëm ndaj masave preventive që rekomandohen nga mjekët. Përveç kësaj ata i dërguan mesazh edhe institucioneve shtetërore, duke i porositur që t’i mundësohet të gjithëve trajtim adekuat në aspektin shëndetësor.

“Pa marrë parasysh se në çfarë vende, vise malore, fushore, urbane apo rurale jetojnë. Njëjtë të gjithë qytetarët e RM të marrin të gjitha shërbimet shëndetësore që janë të nevojshme për shëndet të mirëfilltë të qytetarëve të RM”, tha Nasir Bexheti, dekan.

Edhe në Gostivar u zhvilluan aktivitete për ditën e shëndetësisë. Qytetarëve u dhurohej molla, ndërsa u merreshin cigaret.

Në qendër të qytetit u vendos një tendë, ku u bën teste falas të diabetit dhe matja e tensionit të gjakut të qytetarëve. Ky aksion u organizua nga Këshilli Rinor në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit dhe shkollën e mesme mjekësore.

“Do të bëhen teste të diabetit, matja e nivelit të glukozës në gjak dhe matja e shtypjes së gjakut. Testet do të bëhen falas, për qytetarët që do të kalojnë sot këndej”, tha Miran Ismaili, këshill rinor.

Dita Botërore e Shëndetësisë është caktuar nga Organizata botërore e shëndetësisë dhe kjo shënohet me 7 prill, në mbarë botën, me të njëjtën datë kur edhe është themeluar kjo organizatë.