Kjo ditë mund të shërbejë për të gjithë ne si frymëzim që të promovojmë të drejtat e fëmijëve, ashtuqë do të fillojmë të flasim dhe të ndërmarrim aksione që do të krijojnë një botë më të mirë dhe më të drejtë për fëmijët, thuhet në mesazhin e Ambasadës së parë për fëmijët në botë “Megjashi” me rastin e Ditës Botërore të Fëmijës – 20 nëntori.
“Të gjithë: nënat, baballarët, mësimdhënësit, infermierët dhe mjekët, liderë dhe aktivistë civil, liderë religjioz dhe komuniteteve, manjatët e biznesit dhe profesionistët mediatik, si dhe vetë të rinjtë dhe fëmijët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në atë që Ditën botërore të fëmijës ta bëjnë të rëndësishëm në shoqërinë e tyre, komunitetin dhe shtetin. Nga ndryshimet klimatike, arsimi dhe shëndeti mendor, deri te ndalimi i racizmit dhe diskriminimit, fëmijët dhe të rinjtë po ngrenë zërin për çështje të rëndësishme për brezin e tyre dhe u bëjnë thirrje të rriturve të krijojnë një të ardhme më të mirë”, thuhet në mesazh.
Dita Botërore e Fëmijës është themeluar në vitin 1954 dhe promovon solidaritetin dhe ndërgjegjësimin ndërkombëtar midis fëmijëve në mbarë botën dhe mirëqenien e fëmijëve.
Një pjesë e madhe e nxënësve nuk dinë se ku të denoncojnë ndonjë shkelje të së drejtës së tyre, ndërsa zakonisht shkollën e shohin si organ/institucion ku duhet të drejtohen – tregon hulumtimi i Avokatit të Popullit i cili i përmban përgjigjet e 1147 nxënësve të 14 shkollave të mesme nga Shkupi në një pyetësor onlajn anonim.
“Pyetjes se sa janë të inkurajuar të denoncojnë shkelje të së drejtave – 84 për qind e nxënësve janë të inkurajuar, që është tregues mjaft i mirë. Por, zhgënjen fakti që madje 68 për qind e përgjigjeve tregojnë mosnjohjen e organit ose institucionit në shtet ku mund të drejtohen për shkelje të së drejtave”, tha zëvendësavokatja e Popullit, Vaska Bajramovska – Mustafa e cila e prezantoi hulumtimin në shkollën e mesme “Vasill Antevski – Dren” me rastin e Ditës Botërore të Fëmijës – 20 nëntori.
Sipas hulumtimit, arsyet më të shpeshta për mosdenoncimin e shkeljes janë frika ose turpi, mosbesimi se mund të ketë efekt pozitiv ose pasi që nuk di se ku ta bëjë denoncimin.
Bajramovska – Mustafa potencoi se me rëndësi të veçantë është fëmijët t’i dinë të drejtat e tyre, të përmbajtura në Konventën për të drejtat e fëmijës, t’i dinë mekanizmat për mbrojtje pasi vetëm një fëmijë që e njeh të drejtën, tha ajo, mund të njohë se kujt i është shkelur ajo e drejtë.
“Vetëm një fëmijë i cili e di se ndalohen dhuna fizike, psikike dhe emocionale ose abuzimi seksual, do ta dijë se me ndonjë veprim i ushtrohet bulling, i bëhet shkelje ndaj së drejtave dhe duke i njohur organet do ta dijë se ku duhet denoncuar. Jo të heshtë dhe të presë, siç ka edhe përgjigje në hulumtim: “Askush nuk do t’i kushtojë vëmendje një fëmije 16-vjeçar” ose “Nuk jam i sigurt se dikush nga organet do ta marrë seriozisht”, tha zëvendësja e Avokatit të Popullit.
Ajo ju bëri thirrje nxënësve të cilët morën pjesë në prezantim t’i drejtohen Avokatit të Popullit – edhe për këshillë, por edhe ta paraqesin ndonjë lloj shkeljeje, duke potencuar se institucioni në mënyrë serioze do t’i kuptojë denoncimet e tyre.