Distancë

42

Njerëzimi mbase do dështojë në vendosjen e barazisë, e ku disi do pranohet se jo të gjithë janë të prirur drejt solidarizimit, por pas pandemisë, ndaj dy fushave do të ketë vëmendje esenciale. Shëndetësia e para, sepse e shohim që kur të sulmojnë viruset statusi social, apo dhe pasuria s’janë të rëndësishme. Dhe ashtu si shëndetësia, ashtu edhe tek arsimi aksesi duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Kohërat me kaq rreziqe na bëjnë të shohim se nëse do të kishte mundësi të njëjtë për arsim cilësor, dhe jo ai të ishte luks, “ushtarët”ndaj pandemisë do të ishin më të zotët dhe në numër më të madh

Nga Nazim RASHIDI

Distanca sociale është rekomandimi aktual, si mbrojtje nga virusi korona. Dhe me gjithë vështirësitë e fillimit, por me masat e orëve policore dhe thirrjeve konstante duket se ka filluar të zbatohet.

Por çfarë sjell kjo masë? Fillimisht ka shembur krejt prioritetet. Tashmë gjithë e dimë disi, ose kemi filluar ta kuptojmë se kush ka vlerë në jetët tona. Fjalë mbase patetike e të thëna me qindra herë në rrethana të tjera, por kur prioritetet ishin të tjera pa virusin korona, sa e sa kompromise e sa e sa tolerime kemi bërë, e sa e sa shtypje e ndrydhje të vetes, për të mbajtur një balans edhe pse shpesh kjo na dukej e padrejtë ndaj vetes.

Por njerëzit po çlirohen nga kjo barrë. Kjo ndalje, ky pauzim, në dimension personal po sjell një reflektim. Mbase, njeriu pas kësaj krize do dalë më direkt e më i sinqertë, sepse një lëkundje e vogël u shkaktua, dhe prioritetet menjëherë ndryshuan. Me këto element të përjetuar në jetët tona, komunikimet ndër personale mbase do të jenë më direkte tashmë, ose siç tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i OBSH-së, situata të tilla nxjerrin në sipërfaqe më të mirën e njerëzimit, por edhe me të keqen e tij.

Shifrat janë rrëqethëse, sepse duhej vetëm 67 ditë nga rasti i parë që të infektoheshin 100.000 raste, por 100,000 rastet e tjera u shfaqën veç për 11 ditë dhe pas kësaj veç për 4 ditë u shfaqën 100.000 raste të tjera. Kaq e shpejtë është përhapja dhe prandaj dhe reagimi. Por vetë z. Ghebreyesus thotë se njerëzimi nuk duhet të mbetet peng i statistikave dhe shifrave dhe kërkon reagim nga bota. Por reagojnë të tërë. Situata nxit shpresë,por edhe pangopësi. Nga një anë janë gjithë ata njerëz nga mjekët e deri tek shitësit në dyqane që sakrifikohen për të mirën e përgjithshme, e nga ana tjetër ata tregtarë e interesxhinj, banka e industri që rrisin çmimet dhe shohin mundësi përfitimi në çdo hap.

Por kur jemi tek momenti njerëzor, për çfarë do t’ju duhen paratë gjithë atyre përfituesve nga virusi, kur mund të mos ketë më njerëz ose një pjesë e madhe do jetojnë në varfëri. Gjithë treguesit thonë se ekonomia do ketë pasoja të mëdha. Kjo do të prekë të gjitha familjet. Pa paga, ose me paga minimale, cila do ishte fuqia blerëse e popullsisë, e si rrjedhojë ato pak që do përfitonin, çdo bënin vetë në shoqërinë e rrethuar nga kriza? Pa diskutim që për këto çështje diskutohej edhe më parë, por në momente kur të gjithë janë të barabartë para virusit, të varfër e të pasur, femra e meshkuj, fëmijë e të rritur, të bardhë e me ngjyrë, a do krijojë kjo një reflektim tek ata me pushtet politik e financiar se do të duhet të fillohet të mendohet me më shumë seriozitet për ndarjen më proporcionale të pasurisë?

A do sjellë kjo situatë, ku të gjithë janë të nënshtruar njëlloj, një sens për barazi më të madhe? Janë pyetje thelbësore që përgjigjet nuk mund të vinë shpejtë. Nga reagimet e para, sidomos të kompanive e bankave më të pasura, nuk ka edhe aq reflektim direkt. Mbase do të ndryshojë politika edhe vendimmarrja e si rrjedhojë do të vijnë edhe hapat për masa të tjera. Pa diskutim që të menduarit, e sidomos të vepruarit politik me një kod të ri nuk mund të ndodhë brenda natës.

E nëse njerëzimi do dështojë në vendosjen e barazisë, e ku mbase do pranohet se jo të gjithë janë të prirur drejt solidarizimit, pas pandemisë, ndaj dy fushave do të ketë vëmendje esenciale. Nëse përhapja e pasurisë në tone më të barabarta nuk do të ndodhë, do të duhet të detyrohen shoqëritë që ndaj dy fushave mos ketë lëshime. Shëndetësia e para, sepse e shohim që kur të sulmojnë viruset statusi social apo dhe pasuria s’janë të rëndësishme. Si rrjedhojë, nëse rregullat e ekonomisë apo dhe mendësisë së të pangopurit nuk mund të ndryshojnë aq shpejtë tek njeriu, presioni do të duhet të jetë i madh që shteti e politika të vë barazi në mjekësi.

Investimet kapitale, të menjëhershme do të duhet të bëhen, dhe do të bëhen në këtë sektor. Sfidat e kohës moderne tregojnë se mundësia duhet të jetë e barabartë e me dinjitet për të gjithë në shëndetësi. Një rishikim total duhet të vijë dhe një përmirësim dramatik duhet të ketë i cili duhet të jetë i prekshëm në këtë fushë. Kjo shkon paralelisht edhe me fushën e dytë jetike, arsimimin.

Nuk mund të kesh një zhvillim cilësor, apo dhe një barazi sociale e ekonomike nëse brezat që vinë nuk do jenë burimi njerëzor i duhur i gjithë institucioneve.

Ashtu si shëndetësia, ashtu edhe tek arsimi aksesi duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Më të mirët, e jo më të pasurit apo ato me privilegje të shkojnë në shkollat më të mira. Sepse e shohim që të gjithë ngrenë duart e presin ndihmë nga shkenca për të gjetur vaksinat e ilaçet. Por nëse më të mirët, pavarësisht statusit social, do të ishin në laboratore dhe jo vetëm, një tjetër pamje dhe reagim do kishte sot ndaj pandemisë. Kohërat me kaq rreziqe na bëjnë të shohim se nëse do të kishte mundësi të njëjtë për arsim cilësor, dhe jo ai të ishte luks, “ushtarët”ndaj pandemisë do të ishin në numër më të madh dhe më cilësorë. Kjo situatë duhet të sjellë thyerjen e mendësisë, se “jo i imi” por “më i miri” është i dobishëm për mua e për të gjithë!

Distanca e kërkuar sociale, dhe ngadalësimi i ritmit i sjellë nga korona, do duhet të sjellë edhe një distancë reflektimi reale se ku duhet të jenë ndryshimet e shoqërisë. Ky “luks” që na jepet duke pasur më shumë kohë “pushimi” nga rendja e pafund e disa javëve më parë, duhet të sjellë një distancë edhe nga mënyra e të vepruarit dhe menduarit para pandemisë. Duhet të sjellë dhe krijojë një moment të ri shoqëror, më të barabartë, më njerëzor e më solidar. Po shohim se ndaj sëmundjeve e viruseve të gjithë jemi të barabartë. Po a nuk mund të krijohet barazia edhe në përhapjen e mirëqenies? Por kjo vështirë të ndodhë, e nëse nuk ndodh për shkak se pangopësia mbase nuk zhduket aq shpejtë,sidomos si mendësi, kjo distancë duhet ta sjellë momentin e ri, në mos më shumë, të paktën në arsim e shëndetësi.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Comments are closed.