Njeriut nuk i mbetet shumë hapësirë të tregohet aq i pakujdesshëm ndaj sfidave moderne, disa prej të cilave, siç po tregon edhe ky virus, po na e rrisin distancën sociale, por disi po na e risjellin afërsinë e shumë munguar humane, të cilën duhet ta mbajmë edhe pasi të ketë kaluar rreziku
Nga Emin AZEMI
Derisa po ballafaqohemi me këtë krizë shëndetësore e shkaktuar nga pandemia globale e virusit Covid-19, ne po mundohemi t’iu përshtatemi rrethanave krejtësisht të reja dhe të gjejmë mënyra sa më adekuate, falë edhe teknologjisë, të kryerjes së obligimeve, si private, ashtu edhe zyrtare.
Njerëzimi përnjëherë u detyruar të mbyllet në disa metra katrorë dhe të heqë dorë nga rutina e përditshme. Të heqë dorë nga shumë shprehi të mira e të këqija.
Kjo gjithsesi nuk mund të kalojë edhe pa efekte, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë social e psikologjik. Parashikimet janë se ekonomia globale do të pësojë një rënie drastike, madje me projeksione të zymta që të përkujtojnë depresionin e madhe të viteve 30 në SHBA. Masat e ndërmarra nga qeveritë për zbutjen e efekteve negative në ekonomi dhe në biznese, si pasojë e mbylljes së shumë vendeve të punës dhe ndërprerjes së prodhimit, do të krijojnë gropa të pariparueshme në procesin fiskal të çdo shteti veç e veç. Analizat që do të pasojnë, do të tregojnë saktësisht se cili është bilanci që duhet të paguaj ekonomia botërore pasi të ketë përfunduar kjo krizë shëndetësore.
Efektet shumplanëshe që po prodhon kjo pandemi globale, pritet të studiohen në javët dhe muajt në vijim, ndonëse nuk është vështirë të detektohen disa prej tyre, si rrjedhojë e distancës sociale, izolimit dhe mos komunikimit fizik, ndryshimit të shprehive pararendëse etj.
Në ndërkohë mjaft njerëz të shquar të fushave të ndryshme kanë dhënë mendimet e tyre mbi efektet që po prodhon kjo krizë shëndetësore.
“Coronavirusi (COVID-19) po na kujton se JEMI TË GJITHË TË BARABARTË përballë një situate krize, pavarësisht prej kulturës, fesë, profesionit, situatës financiare apo reputacionit tonë. Po na kujton që KUFIJTË E RREMË QË KEMI KRIJUAR JANË FARE PA VLERË, sepse këtij virusi nuk i duhet pasaportë. Po na kujton se SA E RËNDËSISHME ËSHTË JETA JONË FAMILJARE, çka e kishim lëmë pas dore ditë pas dite. Po na detyron të kthehemi në shtëpitë tona, në mënyrë që të rindërtojmë marrëdhëniet dhe të forcojmë familjen tonë.”, kishte shkruar para do ditësh, Bill Gates, pronari edhe kryearkitekti firmës së njohur Microsoft.
Një mendim tjetër brilant për efektet që po prodhon Covid-19 vjen edhe nga Nazih El AHDAB, prezantues dhe një nga autorët kryesor në ALJAZEERA CHANNEL ARABIC.
“KORONA nuk gënjen, njerëzimi gënjeu, KORONA nuk vodhi deri sa ne plaçkisnim, KORONA po na e rikujton se prindërit tanë kanë zemra të brishta e të ndjeshme, këtë mund ta hetojmë sa herë që i kontaktojmë apo u telefonojmë atyre, KORONA po redukton dhe ndalon pisllëqet tona, duke na kthyer në shtëpitë tona, mënyrë kjo për ta rizbuluar kuptimin e familjes dhe pastërtinë e saj, KORONA vret 2% në masë, këtë po e bëjnë edhe aeroplanët e luftës, të cilët po përdoren, edhe nga ‘njerëzit e fesë’, për ta vrarë popuj me fe të ndryshme nga ata, KORONA nuk është ajo që, me barotin e saj, djeg trupat e fëmijëve, në fakt jemi ne që i vrasim ata, KORONA bëri pastrimin e ambientit, deri sa ne po e ndotnim, KORONA nuk bën dallim ngjyre, race apo feje, deri sa, neve na digjen shpirtrat për identitet, KORONA nuk dallon të varfrit nga të pasurit, nuk i frikësohet pushtetarëve, të cilët kanë frikë njerëzinë, por jo edhe Perëndinë…”, thotë Nazih El AHDAB.
Teksa i lexon gjithë këto mesazhe, njeriut nuk i mbetet shumë komoditet të tregohet aq i pakujdesshëm ndaj sfidave moderne në të ardhmen, disa prej të cilave, siç po tregon edhe ky virus, po na e rrisin distancën sociale, por disi po na e risjellin afërsinë e munguar humane, të cilën duhet ta mbajmë edhe pasi të ketë kaluar rreziku. (koha.mk)