Urim HASIPI
Tetovë, 30 mars – Së shpejti pritet të largohen lodrat e fëmijëve, të cilat me vite kanë uzurpuar qendrën e qytetit të Tetovës. Në kuadër të projektit “Qyteti yt – hapësira yte”, sheshi i qytetit të Tetovës do të pastrohet plotësisht nga veturat e fëmijëve me bateri që funksionojnë në hapësirë publike, shkruan gazeta KOHA. Këto lodra do të zhvendoset në një vend të ri, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore të qendrës sportive pranë fushave të tenisit, kanë thënë nga komuna e Tetovës. Zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Armend Fazliu, thotë se ky hap është në kuadër të vazhdimit të aksionit për pastrimin e hapësirave publike.
“Në kuadër të planit aksional për lirimin e hapësirave publike, trotuareve, dhe hapësirave për këmbësorë, Komuna e Tetovës do të veprojë për dislokimin e veturave në Qendrën e qytetit ‘Iliria’, dhe të njëjtët subjekte pas konkursit publik nga ana e Sektorit për veprimtari Komunale, do të pajisen me leje për shfrytëzim të hapësirës publike në afërsi të qendrës Sportive te qytetit”, deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Nga Komuna e Tetovës nënvizuan se deri më tani, shfrytëzuesit e hapësirës në qendër kanë vepruar në bazë ligjore. “Ata subjekte në qendër kanë operuar në bazë të lejeve që janë dhënë nga sektori për veprimtari komunale. Ata kanë konkurruar dhe kanë marrë leje edhe për aspektin social. Në këtë mandat të ri, kemi vizion të ri për qytetin dhe për zhvillimin e qytetit në atë pjesë, është marrë vendim që të dislokohen të njëjtat. Nuk ka qenë esenca që të pengojmë qytetarët të përfitojnë nga bizneset e tyre, por këtë e bëjmë për shkaqe të lirimit të hapësirave publike dhe kemi dhënë një alternativë që është në afërsi të Qendrës sportive enkas për këtë veprimtari. Shpallja do të bëhet së shpejti nga ana e sektorit përkatës dhe të gjithë ata që janë të interesuar të konkurrojnë mund të marrin leje”, deklaroi Fazliu. Ai tha se ka filluar një projekt ideor për rregullimin e Qendrës së Tetovës.
“Neve kemi premtuar edhe gjatë fushatës se qendra e Tetovës do të duhet të ketë pamje tjetër. Ne jemi duke përpiluar edhe projekt ideor dhe më pas të fillojmë me realizimin e tij”, sqarojnë nga Komuna e Tetovës. Gjithashtu, është planifikuar të reduktohet hapësira rreth vendit për lodrat e fëmijëve, e cila ka për dekada të tëra ka mbetur e lënë anash. Në konkursin e Komunës së Tetovës thuhet se shfrytëzimi i sipërfaqes publike të sheshit në Tetovë pa aktvendim nga organi kompetent i Komunës, inspektorati komunal pranë Komunës së Tetovës në pajtim me kompetencat e saja do të merr masa përkatëse inspektuese sipas dispozitave ligjore të cilat e rregullojnë këtë materie.
”Aktvendimi për shfrytëzimin e sipërfaqes publike të Qendrës sportive afër klubit për tenis në Tetovë, për vendosjen apo huazimin e lojërave të fëmijëve, ka të bëjë për periudhën nga data një prilli deri më 30 shtator, kurse çmimi për shfrytëzimin e hapësirës për metër katrorë është 10 denarë në ditë. Secili person mund të huazojë maksimum 6 metër katrorë. Hapësira për vendosjen – huazimin e lojërave të fëmijëve, do të jepet sipas parimit i pari që vjen, i pari shërbehet”, qëndron në shpalljen publike të komunës së Tetovës lidhur me dhënien e lejes për shfrytëzim të hapësirës në afërsi të qendrës sportive ku edhe janë duke u zhvilluar punët për adaptimin e së njëjtës për këtë veprimtari. (koha.mk)