NATO-ja do të thotë partneritet, siguri, bashkësi. Vendi kaloi një rrugë shumë të gjatë, por tregoi se mund të japë rezultate. Inkuadrimi në Aleancë nuk është proces i lehtë, duhet të sillen vendime të rënda, por vlejnë të gjitha përpjekjet që vendi të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës Veriatlantike.
Kjo ishte në fokusin e diskutimit diplomatik të cilin kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska e kishin me ambasadorët e vendeve-anëtare të NATO-s në temë “Rruga deri në Bruksel”, që në kuadër të javës së NATO-s e organizojnë Ministria e Mbrojtjes, Këshilli Euroatlantik (ATA) dhe ambasada e Republikës së Sllovenisë.
“Më 6 shkurt të këtij viti, vendi e nënshkroi Protokollin për anëtarësim në NATO. Arritëm një prej synimeve dhe obligimeve tona strategjike dhe ajo është që të bëhemi vend-anëtar i NATO-s. Këtë përcaktim historik për vendin tonë e arritëm me investim në shumë gjenerata të cilat u nënshtruan dhe punuan pa u lodhur për ta realizuar vizionin tonë, të bëhemi pjesë e familjes euroatlantike”, theksoi kryeministri Zaev.
Theksoi se si vendi-anëtar i ardhshëm i 30-të, vendi dëshiron të sigurojë kontributin e vet për avancim të mëtutjeshëm të Ballkanit Perëndimor në prosperitet të qetë dhe demokratik dhe të japim kontribut serioz në paqe, stabilitet dhe siguri në tërë Evropën Juglindore.
Vlerësoi se me anëtarësimin në NATO mund të presim edhe katër për qind rritje ekonomike, sepse NATO-ja sjell inkurajim, stabilitet, siguri që definitivisht jep edhe reflekse pozitive.
“Dialogu me opozitën është i hapur dhe ligjet për shërbimet e sigurimit tani janë rrumbullaksuar, presim të caktohet seancë në Parlament. Mbetet edhe Ligji për prokurorinë publike. Besoj se përmes rrugës së dialogut kjo do të jetë e mundur. Të gjithë jemi subjekte serioze politike dhe kur vjen para një ligji politikisht për ta harmonizuar, jam i bindur se ia vlen t’i japim të gjitha përpjekjet tona, të arrihet edhe kjo zgjidhje. Ligji duhet të vlejë njëjtë para të gjithëve, kapacitetet serioze janë pjesë e kritereve për anëtarësim në NATO dhe pjesë e vlerave të Aleancës”, tha kryeministri.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, theksoi se vendi kaloi një rrugë shumë të gjatë, por sot tani më kemi biseduar për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO, diçka që, siç tha, para një viti dukej si një optimizëm joreal.
“Nëse ke vullnet politik, nëse jep detyra, nëse i realizon detyrat e vendosura para vetes, rezultatet vijnë. Nuk ka synim më optimist, ka vetëm pak punë, nëse nuk e realizon. Treguam se Qeveria është e vendosur dhe se zgjidh sfida kyçe, kjo është që ta sigurojë funksionin bazë dhe kjo është t’u japë qytetarëve siguri dhe t’u sigurojë shans për prosperitet”.
Sipas saj, dyert e hapura të Aleancës nuk ishin një dhuratë, por shans i përfituar për Maqedoninë e Veriut dhe siç tha, anëtarësimi në NATO jep mundësi edhe për debat politik për ekonominë e brendshme.
“Edhe NATO-ja merr nga anëtarësimi ynë. Ofrojmë sukses dhe disa shanse të reja. Në disa momente kur edhe familja euroatlantike përballet me sfida, Maqedonia e Veriut, me mënyrën e zgjidhjes së problemeve të tyre dhe ato rajonale, tregoi se NATO-ja ende është organizatë atraktive dinamike dhe është model për t’i zgjidhur edhe problemet në rajon”, vlerësoi ajo.
Shekerinska paralajmëroi se në qershor në poligonin e armatës, Krivolak do të mbahet stërvitja më e madhe ushtarake në territorin tonë deri më tani. Kjo, siç tha, është stërvitja “Goditjen e vendosur 19”, në të cilën do të marrin pjesë mbi 3.000 ushtarë, jo vetëm nga armata e vendit, por edhe nga SHBA-ja, Bullgaria, Shqipëria, Lituania dhe Mali i Zi.
“Kjo për ne do të jetë edhe shenjë nderi dhe simbolike për anëtarësimin tonë të ardhshëm në NATO, por edhe sfidë e madhe dhe përgjegjësi për të treguar se si anëtare e ardhshme jemi të aftë të përballemi me sfida logjistike, të organizuara dhe politike”, konkludoi ministrja e Mbrojtjes.
Ambasadori slloven, Millan Jazbec, i cili është edhe kontakt ambasador i NATO-s në vend, tha se deri më tani nuk ka ndodhur asnjë vend të ketë nëntë ratifikime të Protokollit për inkuadrim në Aleancë për vetëm një muaj e gjysmë, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut.
Për të, ky është momenti më i mirë për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, sepse ky është vit simbolik, kur shënohet 70 vjetori i Aleancës Veriatlantike.(koha.mk)