Laura PAPRANIKU
Shkup, 11 shkurt – Të papërshtatshëm jo vetëm për kushtet e shkollave tona dhe për nivelet e njohurive paraprake të nxënësve në Maqedoni, tekstet shkollore të Kembrixhit rezultojnë të jenë të papërshtatshëm edhe në frymën e mono-etnicitetit që përçojnë përmbajtët e këtyre librave. Përpos tjerash, këto libra të përpiluara nga Qendra Ndërkombëtare e Teksteve Shkollore, pranë Universitetit të Kembrixhit, tani kontestohen edhe për tendencën e favorizimit të maqedonasve, a thua se në Maqedoni nuk jetojë shqiptarë, turq e të tjerë, shkruan gazeta KOHA.
Tekstet prej të cilave duhet të mësojnë edhe nxënësit shqiptarë janë përpiluar vetëm me personazhe që mbajnë emra maqedonas, si: Sonja, Marija, Nikolla apo Petar. Me këto emra ilustrohet jo vetëm testet në gjuhën maqedonase por edhe në gjuhën shqipe, në një kohë kur ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ka mundur të shmang për mrekulli një konflikt të këtillë. Shumë komod, gjatë përkthimit të teksteve nga maqedonishtja në gjuhën shqipe, Petari mund të zëvendësohej me Agimin, Sonja me Zanën apo edhe Nikolla me Shkëlqmin e Marija me Rrezeartën. Tendenca e diskriminimit etnik, e shpërfaqur përmes personazheve vazhdon, kësaj here me librat e Kembrixhit. Pra, edhe pse projekti për botim e teksteve shkollore nga një Qendër Ndërkombëtare sikurse është kjo e Universitetit të Kembrixhit, pritej të sillte ndryshime në logjikën e tekstit shkollor në Maqedoni, nuk ndodhi një e tillë. Në psikologjinë e nxënësve, që nga klasa e parë u imponohet protagonizmi vetëm i maqedonasve, ndërsa të tjetër janë lënë në hije, respektivisht në heshtje. Gjetja vetë e personazheve maqedonase në tekstet shkollore nuk është rastësi. Po të ishin personazhe me emra anglezë, për shembull, edhe mund të mendohej se pasqyrimi i tillë është për “faj” të autorit të librit. Matematika për klasat e para të arsimit nëntëvjeçar, ka autor Karen Morisson dhe vështirë të besohet që personazhet angleze quhen Sonja, Nikolla e kushti me radhë. Teksti nga anglishtja, sikurse qëndron edhe në libër, është përkthyer në maqedonisht. Libri ka redaktore gjuhësore Jordanka Shemson, sikurse ka edhe përthyes nga maqedonishtja në shqip, Abdulla Bukllën.
Të revoltuar nga mungesa e kujdesit dhe respektit për nxënësit shqiptarë, shumë prindër me vetë iniciativë i zëvendësojnë emrat maqedonas me emra shqiptarë, duke i fshirë të parat me korrektor, sepse konsiderojnë se vendosja vetëm e personazheve maqedonas nëpër tekstet shkollore në gjuhën shqipe është diskriminim i hapur që u bëhet atyre. Dukuri të këtilla, sigurisht që nuk i shërbejnë askund. Për me tepër, e dëmtojnë klimën dhe dimensionin multietnik në shkolla. Mirëpo, që situata të mos degjenerojë në raste të tilla, është dashur që të kujdeset paraprakisht MASH, pra të merr masa që rastet e këtilla mos përsëriten as në librat e Kembrixhit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.