Zejnulla VESELI
Shkup, 30 mars – A mjafton mbështetja shtetërore prej 50 milionë euro për biznesin privat, që është parapa për sivjet? Kësaj pyetje i përgjigjen me skepticizëm si përfaqësuesit e biznesit privat, ashtu edhe analistët ekonomikë, të cilët vlerësojnë se një kujdes i shprehur nga ana e shtetit vetëm për 10 për qind të kompanive, nga 73 mijë kompani sa janë gjithsejte, është i pamjaftueshëm, por nuk mund të konsiderohet edhe si fakt i kryer, shkruan gazeta KOHA.
POLITIKË JOFAVORIZUESE SHTETËRORE
Fatmir Bytyqi, analist ekonomik, thotë se krijimi i një politike vetëm për 10 për qind të kompanive kundrejt 90 për qind të kompanive tjera, është politikë jofavorizuese dhe shumë e gabueshme. Edhe pse 10 për qind e kompanive që i plotësojnë kushtet për të aplikuar për ndihmën shtetërore në bazë të raporteve vjetore financiare të tyre, jam më se i sigurt se jo të gjitha prej tyre do të vetëm do të fitojnë të drejtën e subvencioneve.
“Nëse nga 73 mijë kompanive sa ekzistojnë për momentin vetëm 10 për qind apo 7300 kompani plotësojnë kushtin për të aplikuar për ndihmën financiare shtetërorë, realisht jo më shumë se 1500 kompani do të fitojnë të drejtën e marrjes së subvencioneve shtetërorë. Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja se pse shteti duhet të krijojë politika për një numër shumë të vogël të kompanive që në mesin e këtyre kompanive që mund të jenë fitues të ndihmave financiare shtetërore, ndoshta edhe nuk e meritojnë përkrahjen financiare nga shteti”, thotë për KOHA, Bytyqi duke shtuar se duhet te kihet parasysh se ndihmat shtetërore financiare që do të shkojnë për 10 për qindëshin e kompanive vendore sa ato kanë kontribuar në mbushjen e arkës buxhetore gjate vitit të kaluar. Ndërsa sa i përket çështjes së sa kompani shqiptare i plotësojë kushtet për të aplikuar për ndihma financiare nga shteti Bytyqi shprehet shumë pesimist.
LIGJI FAVORIZON KOMPANITË QË PRODHOJNË
“Shumë pak kompani shqiptare, te mesme dhe te vogla, i plotësojnë kriteret për të aplikuar për ndihmë financiare shtetërore, ndonëse, në parim, ky ligj në vetë përmban një diskriminim të fshehur për kompanitë shqiptare edhe pse faji është i dy anshëm. E para është për shkak se profilet që kanë kompanitë shqiptare operojnë në sektorë të cilët realisht nuk janë të përfshira në ligjin për përkrahje financiare të investimeve dhe e dyta ato pak kompani që kryejnë veprimtari të sektorëve të paraparë me ligj, e kanë shumë vështirë të plotësojnë kushtet për të qenë bartës të ndihmave financiare shtetërore”, vlerëson Fatmir Bytyçi.
Në anën tjetër, shteti kur e ka përgatitur këtë ligji ka krijuar qëllimshëm barriera të shumta burokratike që shumë kompani, e në veçanti kompanitë shqiptare, duhej t’i nënshtrohen shumë kushteve bazë për të aplikuar për marrjen e ndihmave financiare.
Edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) vlerësojnë se nga shuma e përgjithshme e paraparë për subvencione, nuk do të përfitojnë shumë kompani për faktin se me Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, në parim, përparësi ju jepet kompanive që prodhojnë.
“Duke pasur parasysh faktin se kriteret e dhënies së subvencioneve nuk janë ende të shpallura publikisht, nuk mund të japim numër. Në përgjithësi, kompanitë shqiptare, nga TOP 100 kanë shënuar sukses vite me radhë. Mirëpo, sipas informatave që janë në publik, kushtet që kompanitë duhet t’i plotësojnë, duhet të jenë në mënyrë kumulative, gjegjësisht të gjitha menjëherë. Andaj, një kalkulim më i saktë mund të bëhet vetëm në momentin e shpalljes së rregulloreve”, thonë nga OEMVP-ja.
Ndërkaq sa i përket paralajmërimeve se vetëm 10 për qind e kompanive, nga mbi 70 mijë kompani sa janë aktive në Maqedoni, prej të cilave sa prej tyre mund të jenë shqiptare, nga OEMVP-ja thonë se nuk mund të japim përqindje për faktin se ende nuk janë të qarta rregullat e lojës dhe se kjo njëherit është edhe një dëshmi se shteti nuk ka për qëllim të ndihmojë njësoj të gjitha kompanitë në Maqedoni.
“Ende s’kemi rregullore, ose në instancë të fundit s’kemi garanci se teksti i ligjit do të miratohet siç është apo do ketë ndryshime substanciale. Me rëndësi është të kemi rregulla të qarta, afate të arsyeshme, zbatim joselektiv dhe eliminim të faktorit njeri në procesin e dhënies së subvencioneve”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. (koha.mk)