Qefser ABDYLI
Shkup, 28 shkurt – Pagesa elektronike në transportin publik nuk e zgjodhi vetëm problemin e pagesës, por edhe dy shprehitë e transportuesve privat – nuk ka ndalesë të autobusit kur të ngrenë dorën udhëtarët në mes të rrugës si dhe ndalimin e garës mes shoferëve të autobusëve privat, shkruan gazeta KOHA.
Nëse më herët transportuesit privat ndalnin autobusin edhe në mes të rrugës vetëm për të mbledhur sa më shumë udhëtarë, me sistemin e ri të punës kjo praktikë nuk aplikohet. Me sjelljen e pagesës elektronike, Qyteti i Shkupit edhe autobusëve privat u mundëson ndarjen e fitimin, kështu që autobusët privat tani nuk kanë interesim t’ju ndalen të gjithë udhëtarëve, por i marrin vetëm ata të cilët hypin në stacionin e autobusëve. Me këtë u zgjidh një nga problemet në komunikacion, pasi autobusët privat vazhdimisht vonoheshin. Për shembull, kishte situata kur autobusi me numër 23, i cili niset nga lagjja Hasanbeg e deri të ndërtesa “Nova Makedonija”, udhëtarëve t’u shkonte një orë dhe ndalesa në mes të rrugës që të zbret udhëtari e vendonte në pikëpyetje sigurinë në rrugë. Autobusi ndalej pothuajse në çdo dhjetë metra kushdo që ia ngrinte dorën. Përveç këtij problemi, sistemi i ri çrrënjosi edhe një shprehi të transportuesve, respektivisht garën nëpër rrugët e Shkupit në luftë për mbledhjen e sa më shumë udhëtarëve, me çka gjithashtu rrezikohej siguria në rrugë. Nga Ndërmarrja për tansport publik “Sllobodan Prevoz” thonë se një nga përparësitë e sistemit të ri për punë është pikërisht çrrënjosja e këtyre dy çështjeve, gjegjësisht ndalimi në mes të rrugës dhe gara mes shoferëve. “Tani i përcjellim autobusët edhe nëpërmjet GPS sistemit. Nëse më herët shoferët garonin dhe ndaleshin kudo në luftë për mbledhjen e udhëtarëve, tani kjo më nuk do të ndodhë, sepse pa marr parasysh a do të ndalet apo jo, ai i merr të njejtat para”, thotë Lenin Jovanovski, drejtori i “Sllobodan Prevoz”.
Nga ndërmarrja sqarojnë se tani pagesa bëhet sipas çdo kilometri të kaluar. Transportuesit privat tanimë kanë reaguar në vendimin e marrë për çmimin në kilometër, me çka në seancën e fundit janë bërë disa korrigjime. Çmimi për kilometër ndryshon varësisht nga çmimi i naftës. Fillimisht transportuesit privat fitonin 58 denarë për kilometër, ndërsa tani është rritur në 62,6 denarë për kilometër. Kontrata për pagesë është javore, gjegjësisht çdo javë marrin para nga Qyteti i Shkupit prej 50 deri 70 për qind nga shuma e parave që duhet ti fitojnë, ndërsa në fund të muajit marrin edhe pjesën tjetër. Nga Ndërmarrja “Sllobodan Prevoz” thonë se katër muaj kanë kohë të mblidhen rezultatet nga puna e sistemitë të ri për pagesë. Nga aty thonë se çmimi i ri në kilometër dhe norma për të mbuluar shpenzimet është e qëndrueshme, por “fitim i arsyeshëm” është i vogël. “Tani vozisim autobusë më të mbushur dhe bartim më shumë udhëtarë. Kështu siç shkojnë punët, ajo që do të jetë rezultat i numrit të rritur të udhëtarëve do të reflektohet në çmim më të lartë të bitetave”, thotë drejtori i ndërmarrjes Lenin Jovanovski.
Ndërkaq, me sistemin e ri për punë përveç se janë hequr disa nga stacionet e autobusëve, është ulur dhe numri i autobusëve në komunikacion. Nga “Sllobodan prevoz” thonë se nëse autobusët e tyre më herët kanë vozitur 10, tani 6 autobusë të tjerët janë në pritje. Prandaj ata thonë se është zgjeruar orari.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.