Pas Këshillit për Etikë në Media, edhe Këshilli i Nderit i SHGM-së e ka hedhur poshtë ankesën e drejtorit të ITSHKSH-së, Skender Asani, ndërsa konstaton se gazeta KOHA ka raportuar në pajtim me etikën gazetareske dhe ka përmbushur standardet mediale në shkrimin me titull “Instituti që turpëroi shqiptarët”, të botuar më 28 gusht 2020
Shkup, 29 tetor – Edhe Këshilli i Nderit i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë e ka hedhur poshtë ankesën e drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, ndaj gazetës KOHA, konkretisht ndaj shkrimit të botuar më 28 gusht me titull “Instituti që turpëroi shqiptarët”. Këshilli i Nderit i SHGM-së konstaton se reagimi dhe ankesa e drejtorit Asani nuk mban pasi gazeta KOHA, siç vlerësohet – ka raportuar në pajtim me etikën gazetareske dhe ka përmbushur standardet mediale në shkrimin e sipërpërmendur.
“Në tekstin e përmendur të gazetës KOHA, autori Destan Jonuzi ka përcjellë pikëpamjet dhe mendimet personave imanentë të cilët janë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me emrin dhe veprën e shenjtores Nënë Tereza, si dhe të intelektualëve të tjerë dhe, në të njëjtën kohë, nënvizon se është kërkuar përgjigje dhe mendime nga drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, me shënim se nuk kanë marrë përgjigje kthyese”, thuhet mes tjerash në vendimin e Këshillit të Nderit të SHGM-së, ndërsa ka konstatuar se gjithçka tjetër, do të përkufizohej censurë ndaj gazetarit dhe medias.
Në ndërkohë, javë më parë, edhe Këshilli për Etikë në Media e kishte hedhur poshtë ankesën e ITKSHSH-së dhe drejtorit Asani, ndërsa e ka quajtur “ankesë të pabazë”. Drejtori Asani, më 3 shtator, kishte dorëzuar ankesë në Këshillin për Etikë në Media, si dhe në Këshillin e Nderit të SHGM-së, ndërsa ishte ankuar se gazeta KOHA ka raportuar në mënyrë tendencioze lidhur me skandalin me pllakën përkujtimore për Nënë Terezën që u vu në sheshin e Shkupit, ngjarje kjo që u përcoll me reagime të shumta në opinion për shkak se, siç kishim raportuar, vënien e emrit të donatorit privat në pllakë, pamjen e shëmtuar të pllakës përkujtimore, si dhe mungesën e kryqit në versionin shqip. Në raportet e gazetës KOHA lidhur me këtë ngjarje, gazeta KOHA kishte përcjellë reagime dhe deklarata të personaliteteve publike politike, të artit dhe kulturës, ndërkohë që në asnjë rast nuk kishte komentuar me tendencë kundër Institutit apo drejtorit Asani.
Megjithatë, i ballafaquar me mungesë të argumenteve dhe me reagimet e opinioneve, Asani akuzoi se gazeta KOHA po bën politikë antisemite, ndërsa shpifi se raportet tendencioze bëhen me qëllime të caktuara. Në ndërkohë, pas akuzave dhe shpifjeve të Asanit në adresë të gazetës KOHA, reagoi edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Asociacioni për Mbrojtjen e Mediave të Shtypura në Maqedoni, si dhe Asociacioni i Mediave të Evropës Juglindore. Që të tre këto organizata akuzuan Asanin për sulm ndaj fjalës së lirë, ndërsa i kërkuan të pranojë përgjegjësinë si institucion publik dhe t’u kërkoj falje publike menaxhmentit dhe stafit të gazetës KOHA.
VENDIMI I PLOTË I KËSHILLIT TË NDERIT I SHGM-së:
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve reagon ndaj artikullit të botuar në gazetën “Koha” më dt. 28.08.2020 me titull “Instituti që i turpëroi shqiptarët”. Në ankesën e Institutit, drejtuar Këshillit të Nderit, thuhet se ky tekst i “Kohës” përmban pasaktësi dhe gjuhë urrejtjeje dhe është tendencioz. Për më tepër, parashtruesi i ankueses pohon se gazeta “Koha” nuk e ka publikuar përgënjeshtrimin e drejtorit të Institutit, Skender Asani, ndaj janë shkelur disa nene të Kodit të SHGM-së.
Këshilli i Nderit i SHGM-së e shqyrtoi ankesën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përgjigjen nga gazeta “Koha” që, ndërkohë iu dërgua SHGM-së dhe Këshillit, si dhe përmbajtjen e tekstit për të cilin reagon Instituti, duke arritur në përfundimin se nuk ka asnjë argument që tregon se ka shkelje të Kodit të SHGM-së.
ARSYETIM:
Në tekstin e përmendur të gazetës “Koha”, autori Destan Jonuzi ka përcjellë pikëpamjet dhe mendimet personave imanentë të cilët janë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me emrin dhe veprën e shenjtores Nënë Tereza, si dhe të intelektualëve të tjerë dhe, në të njëjtën kohë, nënvizon se është kërkuar përgjigje dhe mendime nga drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, me shënim se nuk kanë marrë përgjigje kthyese.
Meqenëse ekziston procedurë dhe afat kohor për “mbylljen” e gazetës, letër-përgënjeshtrimi i ITKSH-së që ka mbërritur më vonë, është botuar në versionin elektronik të gazetës KOHA, me çka është përmbushur kushti për përfaqësimin e palës së dytë. Këshilli i Nderit i SHGM-së nuk hyn në konkluzionet e gazetarit nga deklaratat e bashkëbiseduesve të tij, sepse kjo është e drejta e tij, si autor. Gjithçka tjetër do të përkufizohej si censurë.