Disa persona janë vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një kompleks argëtimi në Xhanksonuill, Florida, ka njoftuar policia.
Zyra e sherifit ka thënë përmes një postimi në Twitter, se disa persona janë plagosur dhe ka bërë thirrje që njerëzit tjerë ta shmangin atë zonë.
Sipas raportimeve të para ka mundësi që të shtënat kanë ndodhur gjatë një turneu të lojërave në zonën Xhaksonuill.
“Qëndroni larg zonës. Zona nuk është e sigurt”, ka thënë Zyra e Sherifit në Xhaksonuill.
Mediat lokale, duke cituar disa burime kanë thënë se katër persona kanë vdekur dhe rreth 10 të tjerë janë plagosur, transmeton Reuters.
Zyra e Sherifit ka thënë se një i dyshuar ka vdekur në skenën e sulmit derisa nuk është bërë e ditur nëse ka një të dyshuar të dytë.
“Janë duke u bërë kërkime”, ka njoftuar kjo Zyrë.
Sipas së njëjtës, disa persona janë dërguar në spital.
Drini Gjoka, ka njoftuar në Twitter se ai ka qenë në turne dhe është qëlluar në gisht të dorës.
“Dita më e keqe e jetës sime”, ka thënë ai.
“Nuk do të marrë asgjë si të sigurt asnjëherë në jetë. Jeta mund të ndalet në një sekondë”, është shprehur ai.
Pamje të mediave lokale kanë shfaqur ambulanca, zjarrfikës dhe zyrtarë policorë në skenë të sulmit, derisa rrugët tashmë janë të bllokuara.
Të shtënat janë dëgjuar edhe në një video që ka shfaqur ngjarjen online.