Urim HASIPI
Tetovë, 26 dhjetor – Festat e fund-vitit qytetarët gjithnjë i kalojnë larg ambienteve ku jetojnë, por janë të paktë në numër ata tetovarë që kanë vendosur që këto festa t’i kalojnë jashtë ambientit familjar. Kriza ekonomike nuk e lejon një luks të tillë që një familje tetovare natën e ndërrimit të motmoteve ta kalojë në ndonjë qendër të shteteve të Evropës, apo edhe në shtetet fqinje. Përderisa një pjesë shumë e vogël e tetovarëve kanë vendosur që këtë natë ta kalojnë jashtë shtetit, në këtë periudhë, megjithatë pjesa dërmuese do të ngelin në Tetovë ose do të lëvizin deri në Shkup. “Me gjithë dëshirë do të udhëtoja për festat e fund-vitit në ndonjë kryeqendër të Evropës, por kushtet ekonomike nuk ma lejon një gjë të tillë, prandaj me shoqëri ose do të qëndrojmë në Tetovë, nëse ka ndonjë koncert në qendër, ose mund të shkojmë më së largu në Shkup”, thotë Agoni, një student tetovarë. Se interesimi është i vogël për të udhëtuar jashtë gjatë festave të vitit të ri, e konfirmojnë edhe në agjencionet turistike, prej nga thonë se rezervimet për të kaluar natën e vitit të ri në ndonjë kryeqendër evropiane, janë më të vogla se vitin e kaluar. Në Agjencionin Turistik Euro Turist në Tetovë, pohojnë se kanë oferta por numri i rezervimeve dhe numri i të interesuarve është më i vogël se vitet e kaluara. “Mund të them se këtë vit interesimi i qytetarëve të Tetovës është në rënie e sipër në krahasim me vitet e kaluara. Megjithatë, ka edhe të tillë që përzgjedhin të udhëtojnë për fund viti. Ka edhe raste kur udhëtojnë individualisht apo familjarisht dhe këta janë kryesisht familjarë të Tetovës që shkojnë te të afërmit e tyre, sidomos në Gjermani, Zvicër apo Danimarkë”, thotë Bujamin Durmishi, nga agjencioni Euro Turist në Tetovë. Edhe këtë vit ky agjencion ofron paketa me aranzhmane të ndryshme për pritjen e vitit të ri. “Ofrojmë aranzhmane edhe me autobus, si për në Vjenë, Pragë, Bullgari. Çmimet për paket arazhmanet me autobus fillojnë nga 150 euro deri në 189 euro për person, varësisht nga destinacioni. Gjithashtu ofrojmë edhe paket oferta me aeroplan, kurse interesimi më i madh ka qenë për në Dubai, ku kemi ofruar variante për qëndrim prej katër netëve me një çmim prej 849 euro si dhe variant tjetër prej shtatë netëve me një çmim prej 999 eurove, kuptohet për një person”, tha Durmishi. Në ndërkohë, shumica nga qytetarët shprehen se këtë festë do ta festojnë në ambient familjarë, ose në ndonjë nga lokalet e qytetit, ku po ashtu pritet që të ketë pritje të vitit të ri me këngëtarë eminent shqiptarë. Tashmë në Tetovë ka filluar edhe të ndjehet atmosfera e festave, pasi që një pjesë bukur e madhe e mërgimtarëve janë kthyer në vendlindje. Kjo ka bërë që në orët e para të mëngjesit të vërehet frekuentim më i madh i automjeteve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.