Tegucigalpa, 17 janar – Disa mijëra emigrantë nga Hondurasi prej pardje janë nisur drejtë SHBA-së, ndërsa një grup i madh i tyre tashmë arritën në Guatemalë, informojnë agjencitë botërore.
Policia, në pikat kontrolluese të vendosura përgjatë autostradës, dhe në Honduras dhe Guatemalë, emigrantëve iu kërkon dokumente personale, por nuk po tenton t’i pengojë në qëllimet e tyre.
Qindra emigrantë e mbajnë flamurin e Hondurasit dhe brohorisin përderisa e kalojnë kufirin me Guatemalën, në pikën kontrolluese El Florida, informon Zëri i Amerikës (VOA).
Në karvanin e parë më të madh të emigrantëve këtë vit nga ky vend i Amerikës Qendrore ka edhe gra dhe fëmijë të vegjël.
Më pak se një javë para se presidenti i sapozgjedhur amerikan ta marrë funksionin, emigrantët dukshëm shpresojnë se administrata e re do të jetë më e disponuar se administrata e Donald Trampit për lutjet e tyre për jetë më të mirë., shton “Zëri i Amerikës”.
Guatemala, Hondurasi, Salvadori dhe Meksika, megjithatë, bashkë ndërmarrin masa për sigurinë dhe shëndetin publik në lidhje me pandeminë e Kovid-19 që ta parandalojnë kalimin e paautorizuar të kufirit.
Muajin e kaluar, autoritetet në Honduras e penguan karvanin para se të arrijë afër kufirit me Guatemalën. Vitin e kaluar, autoritetet e Guatemalës shkatërruan karvanë të tjera para se të arrijnë në Meksikë, shton “Zëri i Amerikës”.