Disa më donin të vdekur, ata madje po përgatisnin Konklavën

31

Papa Françesku ka treguar se kritikët e tij konservatorë e donin të vdekur pas operacionit të tij të fundit në zorrë, madje po i përgatisnin Konklavën. Papa i bëri komentet gjatë një takimi privat në 12 shtator me jezuitët sllovakë. Një transkript i takimit u botua të martën nga revista jezuite La Civilta Cattolica, e cila shpesh jep rrëfime të takimeve me dyer të mbyllura të Papës me miqtë e tij jezuitë. Papa Françesku tregoi sensin e tij të errët të humorit gjatë gjithë takimit, veçanërisht kur një prift e pyeti se si ndihej. Udhëtimi në Hungari-Sllovaki i 12-15 shtatorit ishte dalja e parë ndërkombëtare e Papa Françeskut që kur iu nënshtrua një operacioni në korrik për të hequr një copë 33 centimetra të zorrëve të tij.

“Jam ende gjallë. Edhe pse disa më donin të vdekur. Unë e di se ka pasur edhe takime mes priftërinjve që menduan se Papa ishte në gjendje më të keqe se sa që thuhej. Ata po përgatitnin konklavën”. “Durim! Falë Zotit jam mirë”, shtoi ai. Papa Françesku u pyet gjithashtu se si sillet me përçarjet dhe me njerëzit që e shohin me dyshim. Papa u përgjigj: “Unë personalisht mund të meritoj sulme dhe ofendime sepse jam mëkatar, por kisha nuk e meriton këtë; është punë e djallit”, tha ai. “Po ka priftërinj edhe ata që bëjnë komente të këqija për mua. Ndonjëherë e humb durimin, veçanërisht kur ata gjykojnë pa hyrë në një dialog të vërtetë. Ju nuk mund të bëni asgjë me këtë”.