Tash më ka një vendim Qeverie që t’i lehtësojë kursimet e Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë për pacientët të cilët ishin të detyruar të gjejnë shërim jashtë vendit, tani përfundimisht do të gjejnë zgjidhje edhe në Maqedoni.
Delvina KËRLUKU
Shkup, 25 prill – Pacientët me probleme të jashtëzakonshme të zemrës, pankreasit, indeve të syve, mushkërisë së zezë dhe mushkërive të bardha, veshkave, etj. për të cilat shpesh ishin të detyruar t’iu drejtohen ndonjë spitali jashtë shtetit, përfundimisht do të gjejnë shërim edhe në Maqedoni.
Këtë e ka paralajmëruar zëdhënësi i qeverisë Mile Boshnjakovski, i cili ka njoftuar se tash më ka një vendim Qeverie që t’i lehtësojë kursimet e Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë për pacientët të cilët ishin të detyruar të gjejnë shërim jashtë vendit, kryesisht në vendet e zhvilluara, si Turqia, Austri, Gjermani, Italia etj. Kjo është një mundësi e mirë që qeveria e Maqedonisë të sjell ekspertë nga jashtë, ndonëse dilema mbetet nëse mund të shfrytëzohen kapacitetet ekzistuese në sistemin shëndetësor dhe eventualisht të ketë kursime në FSSHM.
EKSPERTËT E HUAJ SJELLIN PËRVOJË PËR MJEKËT VENDORË
“Në vitin 2016/2017, janë dërguar 24 persona të rritur për transplantim të palcës së eshtrave jashtë vendit, me një kosto prej 1,719,352.00 euro”, thonë për gazetën “Koha” nga Fondi për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë. Këta persona janë dërguar kryesisht në Itali dhe Turqi, dhe bëhet fjalë për sëmundjet e leukemisë, gjegjësisht sindrome të ndryshme. Shuma që kanë përfituar këta pacientë nga Fondi është shfrytëzuar për shërim, ku janë përfshirë kontrollet deri në katër here, në vendin ku kanë kryer ndërhyrjen mjekësore.
Por, sipas dr. Arben Taravarit, ish ministër i Shëndetësisë, mundësia për angazhim të ekspertëve të huaj ndihmon në avancimin e stafit mjeksor të Maqedonisë. Por, edhe lehtësim për shërim të pacientëve tanë. Sipas tij më e leverdishme do të jetë ardhja e ekspertëve të huaj këtu se sa ikja për shërim e pacientëve jashtë shtetit, me ç’rast do të caktoheshin 1-2 qendra referente në Maqedoni. Duke punuar këtu, sqaron dr. Taravari ekspertët e huaj njëkohësisht do të trajnonin dhe edukonin kuadrin tonë, i cili do të aftësohej në përvetësimin e metodave të reja brenda një kohe jo të gjatë.
“Normalisht për këtë, Ministria e Shëndetësisë do të duhej së bashku me Fondin e Shëndetësisë të krijojnë nje strategji afatshkurte, afatmesme dhe afatgjate, sepse metoda e qelizave amë është ardhmëria në shërimin e shumë sëmundjeve”, vlerëson dr. Arben Taravari, për gazetën “Koha”.
TRANSPLANTIMET, VETËM SIPAS STANDARDEVE
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë po punon në përgatitjen e kontratave për sjelljen e ekspertëve në Maqedoni. Këtë e bëri të ditur për gazetën tone edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe,i cili njoftoi se tash më është arritur marrveshja me Universitetin e Frankfurtit si dhe me disa institucione shëndetësore shtetin e Bullgarisë. Ai sqaroi se puna e ekspertëve të jashtëm që do të merren me transplantime do të rregullohet sipas standardeve të reja që i ka caktuar Ministria e Shëndetësisë dhe kjo do të ndodhë pas marrëveshjes me “Eurotransplant”.
Maqedonia nuk ka kapacitet për studime shkencore dhe analiza, por ndihma ekspertëve të jashtëm, për ruajtjen e qelizave amë dhe transferimi i këtyre qelizave te pacienti është më se e domosdoshme. Kështu mendon dr. Rexhep Emurllau, sipas të cilit është shumë e rëndësishme rëndësishme sidomos ruajtja qelizave amë të foshnjës, prej nga mund të sigurohen shumë përfitime terapeutike në të ardhmen, si për fëmijën ashtu edhe për familjen.
“Për ruajtjen e qelizave amë si dhe të qelizave multipatente polikronare, ka qëndrime të ndryshme dhe kontroverse shkencore. Këto duhet të rregullohen vetëm përmes Fondit edhe të rregullohen vetëm atëherë kur kanë patologji që zgjon interes të veçantë për shkencën e mjekësisë, sidomos atëherë kur kemi rastin konkret të sëmundjeve të leukemisë, sindrome të ndryshme dhe për interesa të tjera që janë në dobi të kërkimeve shkencore”, thotë për gazetën KOHA, dr. Emurllau.
Por, për mjekët kjo temë vazhdon të jetë ende mjaft komplekse dhe po punohet që përvojat dhe dijet e institucioneve ndërkombëtare të shëndetësisë të transferohen edhe këtu në Maqedoni. (koha.mk)