Disa institucione nuk respektojnë shqipen!

38

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk ka version të ueb faqes në gjuhën shqipe edhe përkundër detyrimit ligjor me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Pyetëm në ministrinë në fjalë se përse deri më tani nuk kanë version të uebfaqës në gjuhën shqipe!? Nga atje me përgjigje se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt, por pa datë konkrete.

“Përpunimi i ueb-faqes së ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në gjuhën shqipe është në fazën finale. Presim për një kohë shumë të shkurtër të hyjë në funksion”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndërkohë inspektorët që duhet të kujdesen për zbatimin e drejtë të ligjit nëpër të gjitha institucionet shtetërore assesi të bëhen gati. Edhe pse drejtori i këtij Inspektorati, Fatmir Iseni, para pothuajse 9 muajve i kishte thënë TV21 se inspektorët veç më janë në trajnim dhe se pas disa muajsh do të dalin në terren për inspektim, Iseni përsëri e deklaroi të njëjtën gjë.

“Inspektorët e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve kanë filluar trajnimin tani 2 muaj. Pas dy muajve ato do tu nënshtrohen një provimi, pastaj edhe një muaj kanë për pjesën e përgjithshme. Pjesa tjetër është ajo 9 mujore e cila do të jetë me mentor do të dalin në terren, por nuk kanë të drejtë të bëjnë mbikëqyrje inspektuese, por me mentorin do të ushtrojnë punë praktike”, deklaroi Fatmir Iseni – drejtor i Inspektoratit për gjuhën.

Pas trajnimit 9 mujor në terren me mentor nga Këshilli mbikëqyrës inspektues, inspektorët do të pajisen me licenca dhe pastaj do të mund të dalin në terren për inspektim dhe sanksionim të mundshëm për shkelësit e ligjit.

“Dua të ceki se tash kemi edhe ueb faqen e Inspektoratit ku apeloj qytetarët që të bëjnë ankesa për shkeljen e të drejtave të tyre. Në bazë të ankesa ne do ta kemi shumë më lehtë që në të ardhmen inspektojmë në bazë të ankesave”, theksoi drejtori i Inspektoratit për gjuhën, Fatmir Iseni.

Përderisa nga Agjencia për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, kanë bërë të ditur se në mbi 90 përqind të institucioneve në vend nuk e zbatojnë ligjin, dënime për shkelësit e ligjit siç duket nuk do të ketë të paktën edhe për 1 vit./TV21