“Ekziston ligji, por ai nuk zbatohet. Askush deri tani nuk është dënuar nga qytetarët edhe pse ka shembuj kur ata publikisht dëmtojnë këto dru. Po ashtu, një shkak tjetër është vetëdija e ulët e qytetarëve. Në një situatë të këtillë, patjetër duhet të ndërmerren aktivitete nga të gjitha institucionet si për rritjen e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit, ashtu edhe aktivitete nga institucionet kompetente për respektimin e ligjit”, thotë Shuip Marku
Vjollca SADIKU
Dibër, 19 shkurt – Në qytetin e Dibrës deri tani janë realizuar shumë projekte për mbjelljen e drujve dekorativ. Megjithatë, për fat të keq – sot në këtë qytet edhe përkundrejt aktiviteteve – drunjtë dekorativ mungojnë. Me qëllim që ata të jenë sa më prezent në rrugët dibrane, komuna dhe shoqatat qytetare viteve të fundit kanë mbjellë shumë dru dekorativ, por që një pjesë e tyre është tërësisht e dëmtuar dhe më nuk ekzistojnë. “Reagimet e udhëheqësisë të pushtetit vendor, por edhe shoqatave qytetare janë të shumta. Dëmtimet janë të shpeshta, por askush nuk reagon”, thotë për gazetën KOHA, koordinatori i Qendrës për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit, Shuip Marku.
Dëmtimet e këtyre druve janë të shumta dhe situata është shqetësuese, shton Marku, duke theksuar se janë këto probleme kyçe për një jetë më të mirë të dibranëve. Marku sqaron se dy janë problemet kryesore për shkuljen dhe dëmtimin e druve dekorativ – si në qendër të qytetit, ashtu edhe tek periferitë e tij dhe rrugën e Liqenit. “Ekziston ligji për këtë problem, por ai nuk zbatohet. Askush deri tani nuk është dënuar nga qytetarët edhe pse ka shembuj kur ata publikisht dëmtojnë këto dru. Po ashtu, një shkak tjetër është vetëdija e ulët e qytetarëve. Në një situatë të këtillë, patjetër duhet të ndërmerren aktivitete nga të gjitha institucionet kompetente si për rritjen e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ashtu edhe ndërmarrjen e aktiviteteve nga institucionet kompetente për respektimin e ligjit”, thotë Marku.
Gjatë një aksioni që u realizua me projekte ndërkombëtare në rrugën e Liqenit, u mbollën shumë dru – kryesisht arra. Në aksionin në të cilin morën pjesë funksionarë, por edhe persona publik dhe zyrtarë të shoqatave qytetare, u vendos që çdo individ pjesëmarrës të ketë pemën-arrën e vet. Për fat të keq, edhe përkundrejt angazhimit të personave që mbollën këta pemë, ato për një kohë të shkurtër u shkatërruan edhe atë kryesisht nga bagëtitë, të cilët pronarët i kullosin në disa sipërfaqe të bregut të liqenit të Dibrës. Po ashtu duhet theksuar se dëmtime të shumta ka edhe në drunjtë dekorativ që mbolli pushteti vendor në qytet – rrugën kryesore “8 shtatori”. Pikërisht në këtë rrugë ku ka edhe biznese të ndryshme dhe është rruga më e frekuentuar nëpër Dibër, disa nga pronarët e objekteve afariste dëmtuan dhe shkulën drunjtë dekorativ me qëllim që transportin e artikujve ushqimor para bizneseve ta bëjnë në trotuaret ku edhe ishin mbjellë drutë dekorativ. Kjo mënyrë e dëmtimit të druve vazhdon edhe sot. Po e njëjta situatë është edhe në bulevardin “Iliria”. Shoqata të ndryshme joqeveritare dhe pushteti vendor edhe në këtë pjesë të qytetit kanë mbjellë shumë dru dekorativ, por një pjesë e tyre sot më nuk ekziston.
Shoqata qytetare propozojnë që të realizojnë projekte të tjera sidomos për të rinjtë me qëllim që të rritet vetëdija e tyre për mirëmbajtjen e mjedisit jetësor. Këto shoqata kanë kontakte me pushtetin vendor dhe pritet së shpejti të fillojnë aktivitetet në fjalë. Përfaqësuesit e këtyre shoqatave publikisht kërkojnë nga policia dhe inspektorët për mbrojtje e mjedisit jetësor të respektojnë Ligjin dhe të ndërmarrin aktivitete ndëshkuese për ata që dëmtojnë mjedisin jetësor. (koha.mk)