Dibër, 2 dhjetor – Tërmeti katastrofal që goditi Durrësin dhe që akoma ka edhe tërmete të tjera si dhe shembje të shumë pallateve të banuara nga vendasit, por që janë të dëmtuara dhe paraqesin rrezik për të jetuar në ato, detyruan që këta banorë në pjesën dërmuese të ngelin pa strehë mbi kokë. Andaj, një pjesë prej tyre filluan të strehohen tek më të afërmit e tyre, miqtë por edhe në disa hotele të Shqipërisë. Ditëve të fundit ka edhe shumë familje që kanë filluar të strehohen në Kosovë, por edhe në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
Edhe Dibra ka hap dyert për t’u dalë në ndihmë vëllezërve të tyre durrsakë që kanë pësuar dëme të mëdha e kanë ngel pa strehim ose janë në rrezik që të jetojnë në banesat e tyre. Familja e Besnik Bylykbashit nga Durrësi arriti në Dibër. Ata u pritën nga familja dibrane ngrohtësisht. Me lot në sy, Besniku dhe Klea tregojnë tmerrin që kanë përjetuar gjatë këtyre ditëve që nga tërmeti i ditës së martë e deri sot. “Nuk mund të përshkruhet, Durrësi tani i ngjan një qyteti që duket si qytet pas luftës apo pas bombardimit”, tregon Besniku. Ata shtojnë se njerëzit që lëvizin në qytet janë të mërzitur, me trauma , nuk dinë nga shkojnë sa andej e sa këndej. Tmerri nuk përshkruhet, mjerimi i durrsakëve shihet tek fytyrat e të gjithëve, thonë durrsakët që kanë ardhur për tu strehuar në Dibër. “Por, jeta vazhdon dhe duhet të jemi të fortë e të përballemi me fatkeqësitë natyrore”, shtojnë vëllezërit nga Durrësi.
Ka edhe disa familje të tjera që këtë vikend erdhën në Dibër tek familjarët e tyre për t’u strehuar. Ata tani në Dibër do të kalojnë një kohë deri sa të qetësohet gjendja dhe situata me tërmetet. Dibranët ndjehen të gatshëm për t’ju dal në ndihmë familjeve durrsake që kanë nevojë për strehim. Tashmë rinia dibrane dhe disa shoqata joqeveritare grumbulluan ndihma si në ushqim, veshmbathje, por edhe mjete materiale për t’ju dal në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti në Durrës. Gjithashtu, edhe Komuna e Dibrës ndau ndihmë materiale prej 300.000 denarë për t’u solidarizuar, ndërsa dërgoi edhe një ekip të specializuar zjarrfikësish nga Dibra. (koha.mk)