Të dhënat e fundit të Agjencisë së Punësimit tregojnë se në Entet e punësimit – vend pune presin 13.262 të diplomuar, ndërkohë që për dy vitet e fundit, 29 për qind e të rinjve me diplomë fakulteti janë larguar nga vendi. Vetëm në 2019 kanë diplomuar mbi 7800 të rinj, ndërsa Numrat e institucioneve zyrtare tregojnë se megjithatë, tregu i punës nuk korrespondon me diplomat që kanë të rinjtë
Zenel MIFTARI
Shkup, 19 prill – Në vitin 2019, në Maqedoninë e Veriut kanë diplomuar gjithsej 7874 studentë. Derisa numri i të diplomuarve nga viti në vit vazhdon të rritet, një gjë e tillë nuk po ndodhë dhe me punësimin e tyre. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Punësimit tregojnë se në Entet e punësimit – vend pune presin 13.262 të diplomuar, ndërkohë që për dy vitet e fundit, 29 për qind e të rinjve me diplomë fakulteti janë larguar nga vendi. Numrat e institucioneve zyrtare tregojnë se megjithatë, tregu i punës nuk korrespondon me diplomat që kanë të rinjtë. Përgatitja për në tregun e punës është e zbehët dhe depërtimi i të diplomuarve në tregun e punës bëhet me vështirësi të shumta. Këtu shihet qartë hendeku midis njohurive të mësuara në universitet me kërkesat e tregut të punës së kompanive në vendin tonë.
Sipas eksperteve, kjo situatë e krijuar duhet të alarmojë institucionet arsimore dhe paraqitet nevojë emergjente për afirmimin dhe rifreskimin e plan-programeve të universiteteve me nevojat e tregut. Sipas një studimi të realizuar nga kompania globale e arsimit të lartë “Quacquarelli Symonds”, e cila ka anketuar mijëra punëdhënës dhe studentët nga mbarë bota, ka shqyrtuar marrëdhëniet midis aftësive të diplomuara dhe pritjeve të punëdhënësit. Nga ky studim ka rezultuar se, aftësitë më të kërkuarat janë ato për të zgjidhur probleme – puna në ekip, komunikimi, përshtatshmëria në ambiente të ndryshme dhe aftësitë ndërpersonale.
Nga Oda Ekonomike Veri-Perëndimore e RMV-së kanë theksuar se aspekte të rëndësishme që duhet pasur në konsideratë e që studentët të jenë më të përgatitur për në tregun e punës janë mbajtja e fokusit për cilësi të lartë të arsimit cilësor nëpërmjet zhvillimit profesional të ligjërueseve, përfshirja aktive e sektorit privat për ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të papunësuarve për nevojën e tyre për kualifikim të përshtatshëm, mbështetje financiare për institucionet arsimore me fokus të veçantë në profesionet deficitare, si dhe përfshirja e përfaqësuesve të organizatave të biznesit, gjegjësisht odave ekonomike në përpilimin e programeve arsimore për arsimin e lartë. Kjo, siç thonë në OEVP, me qëllim që të mundësohet përputhje e programeve arsimore me kërkesat e tregut të punës, si dhe t’ju mundësohet studentëve të zgjedhin drejtime që do t’ju mundësojë të plotësojnë kërkesat e tregut të fuqisë punëtore.
Studentja e Universitetit të Evropës Juglindore, Fatjeta Beluli, për gazetën KOHA thotë se përgatitja më e mirë për tregun e punës gjatë studimeve – sigurisht që është praktika mësimore. Sipas saj, edhe pse një gjë e tillë praktikohet, megjithatë ajo mendon se është e pamjaftueshme, sepse universitetet në vendin tonë duhet të stimulojnë dhe gjëra të tjera që të përgatiten studentët në mënyrë sa më të mirë të mundshme. “Deri më tani nuk kam bërë asnjë praktikë në ndonjë institucion, por mendoj se kjo është më shumë edhe si pasojë e pandemisë. Shpresoj që pas pandemisë, universiteti ynë do të angazhohet më shumë për të siguruar punë praktike ku studentët do të mund të gjejnë një punë praktike më lehtë dhe të plotësojnë boshllëkun e krijuar gjatë pandemisë me virusin korona”, shton Fatjeta. Ajo thotë se, në të gjitha universitetet duket se mungon përgatitja se si të aplikohet për një vend pune, duke përfshirë dhe shkrimin e CV-së, letrën motivuese dhe në përgjithësi – përcjelljen e njohurisë së procesit deri te aplikimit për një vend pune. (koha.mk)