Diplomacia publike në sendërtimin e paqes

Beteja diplomatike Maqedonisë së Veriut për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Bullgarinë, patjetër duhet të huazojë instrumente paqësore nga e kaluara, siç ndodhi në Ohër dhe në Prespë. Roli i diplomacisë në tejkalimin e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në mes të shteteve dhe popujve, ka qenë i mundur vetëm atëherë kur janë angazhuar diplomatë me përvojë, prapa të cilëve kanë qëndruar shtetet e tyre, me te gjitha resurset. Nëse i referohemi një thënie të Nënës Terezë, e cila porosiste që, para se të nisë një luftë të mendohet për paqen, sepse ajo një ditë duhet patjetër të arrihet, prandaj nuk ka nevojë të bëhet luftë kur ka mundësi të bëhet paqja

 

Nga Halim HYDA

Diplomacia si art i negocimit mes popujve dhe komuniteteve, njihet qysh nga periudha e antikës. Perandoria Osmane dhe ajo Romake, diplomacinë e tyre e zhvillonin përmes konsujve. Në Mesjetë në shtete dhe qytete të Italisë, diplomacia u zhvillua përmes akreditimit dhe ambasadave. Me formimin dhe ngritjen e shteteve moderne filluan të krijohen edhe ministritë për punë të jashtme, ku diplomacia merr vendin e merituar komunikimin ndërkombëtar. Në fillim dominon diplomacia klasike dhe më pas ajo publike.

Advertisements

Nëse i referohemi etimologjisë së fjalës “diplomaci“, kuptojmë se ajo rrjedh nga greqishtja –  “diplomë“. Në Greqinë e Vjetër diploma ka shërbyer si dokument që i është ndarë personave të caktuar si porosi ose certifikatë e dëshmisë oficiale për ta prezantuar ose përfaqësuar shtetin ne vende tjera. Bartësi i diplomës, gradualisht me kalimin e kohës filloi të quhet diplomat, më pas edhe personeli i tillë filloi të quhet diplomat.

Në bazë të analizave të mëvonshme paraqitet edhe terminologjia :

– diplomacia vie në shprehje në fushën e bashkëpunimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

– bazë për realizimin e bashkëpunimit mes dy ose më shumë vendeve janë negociatat.

– veprimtaria diplomatike realizohet nga personi i autorizuar në mënyrë oficiale.

Pohohet se shkrimet e para në diplomaci burojnë nga Egjipti në shekullin e 15 dhe 14 para Erës sonë të shkruara në mes faraonit të Egjiptit dhe udhëheqësve të vendeve tjera.

Diplomacia publike dallohet nga ajo klasike pasi nuk synon ne rend të parë bashkëpunimin dhe komunikimin përmes vendosjes së marrëdhënieve me qeveritë e huaja por me institucionet jo qeveritare, si dhe sektorin civil dhe individë  nëpër vendet tjera.

Diplomacia publike promovon politikën e jashtme dhe interesat e vendit duke informuar dhe reflektuar te publiku i huaj për çështje të caktuara me interes për ta ngritur imazhin e përgjithshëm të shtetit. Pra, që nga periudha e antikës e deri në ditët e sotme, diplomacia në vazhdimësi e ka përsosur fahun e vet duke u bërë urë kryesore e komunikimit politik mes shteteve.

Diplomacia është art i komunikimit, ose cilësi e lindur e personalitetit, me ç’rast diplomati mund të vlerësojë situatën para se të fillojë të flasë bashkëbiseduesi. Diplomati mund të vlerësojë situatën dhe ngjarjet në mënyrë objektive  dhe ka një ndjenjë dhe shkathtësi të veçantë në zhvillimin e të dëgjuarit dhe komunikimit me bashkëbiseduesin.

Profili i një diplomati të formuar nënkupton një personalitet të ngritur  dhe të profesionalizuar, i cili gjatë zhvillimit të karrierës së tij arrin të fokusohet në disa çështje që e dallojnë atë për nga aftësia e komunkimit  dhe e prezantimit të politikës së jashtme në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, duke mbrojtur veçantitë dhe specifikat e politikës shtetërore prej nga vejnë ai. Kjo gjithsesi nuk mund të arrihet nëse diplomati nuk është i njohur për opinionin si intelektual, krijues dhe autor i shquar në një fushë të caktuar. Me fjalë të tjera, diplomatët janë zgjatime të natyrshme të politikave shtetërore në arenën ndërkombëtare dhe si të tillë ata mund të jenë  sytë dhe veshët e shtetit.

Zhvillimi dhe evoluimi i diplomacisë ka ecur krah zhvillimit të përgjithshëm shoqëror. Diplomacia  është produkt i racionalitetit të mendjes së mbrehtë njerëzore. Njerëzit qysh herët e kuptuan se zgjidhja e problemeve mes veti dhe komuniteteve jo gjithmonë mund të bëhej duke përdor forcën dhe armën. Ajo lindi si alternativë ndaj luftërave dhe betejave që shkaktojnë dhunë dhe gjakderdhje. Sipas një prononcimi të Colin Powell, diplomaci do të thotë të dëgjosh për çfarë ka nevojë tjetri.Ta ruash pozicionin tënd, por ta dëgjosh tjetrin. Sipas kësaj, ne duhet të bashkëpunojmë me popujt tjerë, në mënyrë që kur te vijnë kohë të vështira, të kemi mundësinë të punojmë së bashku për te arrite deri te marrëveshja dhe paqja.

Paraprakisht është e rëndësishme të themi se sukseset e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, përpos performancës së një pjese te diplomateve aktual dhe të diplomacisë, i atribuohen edhe profesionalizmit të diplomatëve tanë që me sensin e bashkëpunimit dhe koordinimit kanë arritur të realizojnë  me sukses përfaqësimin e shtetit dhe zbatimin e politikës së jashtme. Me këtë është arritur të lartësohet dhe afirmohet emri i  RMV, si një subjekt kredibil ndërkombëtar në kuadër të përpjekjeve për  rrugëtimin drejtë BE-së,pavarësisht tentimeve të ndërhyrjeve nga jashtë për ta devijuar këtë rrugë. Prandaj diplomacia në RMV duhet të vazhdojë të personifikojë  “trurin” e shtetit dhe shoqërisë, si një mundësi reale e ngritjes së kapaciteteve përfaqësuese në institucionet dhe forumet ndërkombëtare  nëpërmjet negociatave dhe marrëveshjeve, ku do të mbisundonte interesi nacional i shtetit të RMV.

Diplomatët e karrierës në Ministrinë e Punëve të Jashtme në RMV-së kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimin e diplomacisë moderne të shtetit, prandaj mos përfillja e mendimit të kësaj plejade diplomatësh nga udhëheqësia e tanishme e Ministrisë paraqet një adoleshencë të skajshme politike.

Pas viteve 1990 u sollën ndryshime në interes më të gjerë për kriteret, përbërjen e shërbimit diplomatik dhe karrierën diplomatike, duke e demokratizuar sistemin e shtetit në një nivel më të lartë, ku vihej theksi tek një diplomaci më demokratike në bazë të meritës, vlerës dhe konkurrencës së drejtë. Por është fatkeqësi që nga vitet 1990 deri në vitin 2023, në shërbimin tonë diplomatik ka dominuar një formulë “jo e drejtë në bazë të meritokracisë” dhe jo korrekte. Në diplomacinë tonë, pavarësisht arritjeve dhe përparimeve të dukshme, duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare më të mira, kanë gjetur terren dukuritë negative, në rekrutimin e personelit diplomatik me gradën më të ulët deri tek grada më e lartë  – Ambasadori. Me fillimin e demokracisë pas viteve 1990, duhet të zhvilloheshin dhe silleshin të gjitha ndryshimet në konceptin e profesionalizmit në ushtrimin e çdo detyre dhe niveli profesional dhe diplomatik. Dhe në këtë qasje do të ishin shmangur shumica e dukurive negative që i vërejmë sot në shërbimin profesional diplomatik dhe konsullorë. Duke e parë parregullsinë në diplomaci, duke u bazuar mbi aftësitë që duhet të posedojë një diplomat i vërtetë, diplomati francez Francis de Callieres në vitin 1716, saktëson se: “Një diplomat duhet të zotërojë aftësi shpejtësie, shkathtësie, dinakërie, njohurie të shumanshme dhe mbi të gjitha mprehtësinë e shprehjes dhe të komunikimit”.

Gjatë 30 vitëve në diplomaci ka kaluar gjithçka dhe gjithkush është mbuluar dhe koklavitur nga nepotizmi, politizimi partiak, korrupsioni, klientelizmi dhe diletantizmi diplomatik i shfrenuar dhe pa kontrolluar deri në fund. Në mënyrë që të kemi diplomaci të suksesshme dhe produktive në interes të shtetit dhe kombit që e përfaqësojmë, kërkohet që të mbahen llogari në diplomatët me nivel të lartë akademik dhe karrierë profesionale të dëshmuar. Ministria e Punëve të Jashtme e RMV duhet ti kthejë sytë nga praktikat më të përparuara të diplomacisë ndërkombëtare, që në këtë mënyrë edhe reformat e reja të qeverisë ose ligji për Shërbimin e Jashtëm të jenë në përputhje me kushtet dhe rrethanat në të cilat është vendi dhe në të cilat vendi ka kaluar, si dhe poashtu të përputhen me rregullat, normat ndërkombëtare dhe në vlerësimin e drejtë të kuadrit profesional brenda Ministrisë, që nënkupton edhe ngritjen dhe  demokratizimin e  sistemi diplomatik nga baza e deri në majë.

Aktualisht mund të evidentojmë shumë vërejtje sa i përket metodologjisë dhe qasjes së RMV në procesin e hapërimit drejt BE-së dhe kjo falë pasojave e gabimeve të së kaluarës me diplomatët e karrierës dhe ata politik.

Emërimet e nxituara politike, ngritjet e titullarëve, tejkalimi i mandatit të diplomatit,  kanë rritur dhe do të vazhdojnë të njollosin  imazhin e shtetit në realizimin e marrëdhënieve dhe politikave ndërkombëtare.

Ndryshimet pozitive që kanë filluar, në kuadër të procesit të  reformimit të diplomacisë, patjetër duhet të bazohen tek meritokracia, konkurrenca e drejtë dhe vlerat e mirëfillta evropiane. Sytë duhet të drejtohen edhe tek brezi i ri i profesionistëve të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe tek energjia, pasioni, forca, freskia, potenciali, vlerat, vizionet, arsimimi, kultura, niveli intelektual dhe njerëzor i tyre, si parakushte të domosdoshme për suksesin e diplomacisë. Për pasojë,  MPJ, diplomatët e çdo rangu, politika e jashtme dhe diplomacia si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit tonë, nuk janë prezantuar në nivelin e duhur, ka pasur dhe ende vazhdon te kete mangësi të profesionistëve në diplomaci, mungesë etike dhe protokolli dhe emërime prej brenda dhe jashtë pa plotësuar kriteret elementare të shërbimit të jashtëm diplomatik.

Si duhet vepruar për të pasur profesionalizëm në diplomaci? Si një studiues modest në fushën e politikës bilaterale me shtetet e Evropës – Gjermani, Zvicër dhe Austri,  zgjidhja është tek përfillja dhe respektimi i kritereve të mëposhtëm:

  1. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme duhet të bëhet sistematizim i ri dhe të ngrihen struktura të reja- inovative me ekspertë dhe profesionistë të diplomacisë, prej vendeve ka janë kthyer dhe kanë shërbyer si dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilët prioritet kryesorë të kenë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE.
  2. Emërimet në diplomaci si brenda Ministrisë dhe jashtë në ambasada dhe misione të ndryshme, duhet të jenë në bazë të përvojës, njohjes së gjuhëve, zhvillimeve brenda në ministri dhe suksesit të treguar gjatë shërbimit jashtë vendit.
  3. Kërkohet një ndarje e qartë në mes të diplomatëve të karrierës dhe diplomatëve politikë, duke ulur përqindja nga radhët e diplomatëve politik në minimum.
  4. Duhet respektuar ligji i MPJ dhe i shërbimit diplomatik deri në fund dhe pa hezitim për promovimin e diplomatëve, respektimin e gradave, hierarkisë dhe titujve diplomatikë.
  5. Ekspertët dhe profesionistët e vërtetë në diplomaci duhet të rekrutohen sipas meritokracisë, konkurrencës së lirë dhe të drejtë.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut pavarësisht ulje-ngritjeve në të kaluarën dhe të tashmes me kuadrin që e ka në disponim, ka perspektivë të sigurt, duke marrë në konsideratë edhe procesin e hapërimit drejt Bashkimit Europian,  ndonëse duhet të kuptojmë qartë që diplomatët nuk mund të bëhen brenda natës. Duhet të mbizotërojnë kriteret, parimet,  drejtësia, ligji, rregulla, konkurrenca parimore intelektuale dhe profesionale, si dhe gjithë ato parime dhe vlera universale që e ruajnë dinjitetin e institucionit dhe të misionit diplomatik në shtetin e quajtur RMV.

Diplomacia e një shteti i ngjason fotografisë së rengenit, e cila nxjerr në pah të gjitha anomalitë e brendshme të “organizmit” shtetëror. Shtetet demokratike dhe me traditë të gjatë në procesin e shtetndrtimit, kanë krijuar shkollat  veta të diplomacisë, prandaj ne sot mund të flasim për shkollën angleze të diplomacisë, për shkollën franceze, për shkollën gjermane, austriake,  skandinave etj. Të gjitha këto shkolla kanë specifikat e tyre dhe secila ngërthen në vete tre elemente thelbësorë: traditën shtetërore, formimin dhe eksperiencën individuale. Zakonisht përfaqësuesit e këtyre shkollave diplomatike janë njerëz që kanë kaluar një pjesë të karrierës së tyre në institucionet shtetërore e politike, por edhe në ato akademike dhe në shumë fusha elitare. Pikërisht kjo ka ndikuar që diplomatët e këtyre shteteve në raste të caktuara janë caktuar edhe emisarë specialë në proceset negociuese ndërmjet dy e më shumë shteteve. Përvoja, dija dhe tradita e gjatë shtetërore, të kombinuara brenda profilit të një diplomati, nxjerrin emisar të suksesshëm, siç ka qenë rasti me Henri Kisinger, me Medlin Olbrajt, Richard Holburk, Robin Kuk, Metju Mimic etj.

Mbi bazat e një diplomacie të tillë, janë zhvilluar edhe politika paqësore, që si synim kanë pasur ndërprerjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në mes të shteteve dhe popujve. Pas çdo negocimi të suksesshëm janë zhvilluar Konferenca paqësore, të cilat kanë sublimuara në pika të shkurtra kahjet nga duhet të lëvizin shtetet për të tejkaluar kontestet në mes të tyre. Ka plot shembuj, por mund të përmendim disa prej tyre, që na përkujtojnë se ndikimi i diplomacisë në gjetjen kompromisit në mes të palëve sjell paqen. Mjafton të përmendim Marrëveshjen Ohrit (2001), e cila ishte produkt i një procesi negocues trepalësh: Qeveria e Maqedonisë, partitë politike shqiptare dhe UÇK. Kjo marrëveshje erdhi si rezultat i arritjes së disa kompromiseve që kishin për qëllim ndaljen konflikti dhe hapjen e procesit politik për çështje të hapura në mes të pushtetit dhe shqiptarëve.  Ishte roli mjaft substancial i diplomatëve Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, të cilët me shkathtësinë dhe fleksibilitetin e tyre arritën të sjellin n tryezën bisedimeve një varg çështjesh të hapura, të cilat morën zgjidhje pas një varg bisedimesh në mes të palëve. Mund të përmendim edhe Marrëveshjen e Prespës, e cila e mbylli kontestin disa vjeçar në mes të Greqisë dhe Maqedonisë, dhe për rrjedhojë u hapën disa perspektiva që ishin të pamundura pa mbylljen e mosmarrëveshjeve në mes të dy shteteve. Si rezultat i kësaj marrëveshje, ku ishte i angazhuar diplomati me përvojë Metju Nimic, Maqedonia e ndryshoj emrin dhe u riemërtua “Maqedonia e Veriut”, kurse Greqia hoqi veton dhe të gjitha pengesat në institucionet ndërkombëtare dhe kjo ndikoi që Maqedonia e Veriut shumë shpejt të anëtarësohet në NATO.

Aktualisht në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, por edhe gjetiu ende ka konteste të hapura që kërkojnë zgjidhje paqësore. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ndodhen në një proces evropian të përafrimit të qëndrimeve, që erdhi si rezultat i heqjes së vetos bullgare dhe zotimit të Shkupit zyrtar për përfshirjen bullgarëve në Kushtetutë.

Beteja diplomatike Maqedonisë së Veriut për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Bullgarinë, patjetër duhet të huazojë instrumente paqësore nga e kaluara, siç ndodhi në Ohër dhe në Prespë. Roli i diplomacisë në tejkalimin e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në mes të shteteve dhe popujve, ka qenë i mundur vetëm atëherë kur janë angazhuar diplomatë me përvojë, prapa të cilëve kanë qëndruar shtetet e tyre, me te gjitha resurset. Nëse i referohemi një thënie të Nënës Terezë, e cila porosiste që, para se të nisë një luftë të mendohet për paqen, sepse ajo një ditë duhet patjetër të arrihet, prandaj nuk ka nevojë të bëhet luftë kur ka mundësi të bëhet paqja.

Kjo porosi gjen shprehje sidomos në konfliktin e tanishëm në Ukrainë, pas invazionit rus, ku shkëndijat e paqes ende nuk duken në horizont, por ajo patjetër duhet të bëhet pjesë e rrugëtimit që do të sillte dritë në fund të tunelit. Preventiva diplomatike është treguar efikase sa herë që në horizont është dukur një rrezik potencial që mund të kërcënojë paqen. Kështu mund të thuhet edhe për situatën aktuale rreth Tajvanit, e cila është e dominuar nga një retorikë e ashpër, me qëndrime politike që shumë shpejt mund të shndërrohen në një vatër të re krize ndërkombëtare. Për rrjedhojë edhe në këtë situatë ka hapësirë për formula paqësore të diplomacisë, sepse kjo është alternativa e vetme që garanton stabilitetin e shteteve dhe rajoneve. Diplomacia preventive është “terapia” më efikase që parandalon përshkallëzimin e konflikteve  dhe mosmarrëveshjeve dhe kjo falë angazhimit të diplomatëve të karrierës të cilët mbi supet e tyre mbajnë përvoja të mbushura me dije gjeopolitike dhe shkathtësi negocuese.

Prandaj edhe diplomacia e shtetit tonë duhet të absorbojë përvojat dhe kulturat diplomatike të shteteve me traditë dhe të diplomatëve të kalibrit të madh, sepse kjo është rruga vetme që na nxjerr nga improvizimi në profesionalizëm të njëmendët.

(Autori është ambasador dhe diplomat në karrierë)