‘Diplomacia fluturuese’, si formë e re për vazhdimin e dialogut

Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet i bllokuar si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Por, përkundër këtij fakti, përfaqësuesit e Ekipit negociator të Kosovës thonë se aktualisht po punohet në platformën për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Një takim i ri ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, nuk pritet të realizohet përderisa Kosova e mbanë në fuqi tarifën doganore. Edhe SHBA-ja u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të pezullojnë tarifën, duke i cilësuar veprimet kundër dialogut në kundërshtim me interesat amerikane.

Në një situatë të tillë, mbetet të shihet nëse BE-ja apo edhe SHBA-ja do të aktivizojnë edhe diplomacinë për realizimin e takimeve të ndara me palët në Prishtinë dhe në Beograd, në përpjekje të arritjes së pajtimit për vazhdimin e dialogut.

Njëri nga kryesuesit e Ekipit negociator, Fatmir Limaj, i cili është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetësi kryesor i këtij procesi që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, një marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhet të garantohej nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Limaj nuk e ka mohuar e as pohuar se gjatë procesit të dialogut mund të ketë ndryshim të qasjes së dialogut, duke i dhënë edhe një dimension të ri përmes aktivizimit të diplomacisë fluturuese apo siç njihet edhe me termin ndërkombëtar ‘shuttle diplomacy’.

“Se rrugës (dialogu) a mund të ndryshojë, tash për tash është herët për të folur. Por, ky është pozicioni dhe është pozicion ndihmues për Kosovën. Unë besoj se ka ardhur koha që edhe Kosova edhe Serbia të ulën drejtpërdrejt edhe të mbyllin çështjet e tyre të hapura, gjithmonë me prezencën e partnerëve tanë të fuqishëm që na kanë ndihmuar ta ndërtojmë këtë shtet dhe të vijmë deri këtu ku jemi tani”, tha Limaj.