Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Jashtme thonë se në fazën finale është procedura për emërimin e ambasadorëve në vendet ku Maqedonia për një periudhë nuk ka përfaqësues të saj. Ndërkohë, gazeta KOHA mëson se procedura ka ngecur në bisedimet mes partnerëve të koalicionit për ndarjen e pozitave. Nga ana tjetër, opozita maqedonase kërkon që të konsultohet, ndërkaq ajo shqiptare që emërimi i ambasadorëve të rinj të bëhet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe të respektohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i diplomatëve shqiptarë
Destan JONUZI
Shkup, 1 nëntor – Njëzet e shtat ambasada të Maqedonisë së Veriut tani e dy vite funksionojnë pa ambasadorë. Ministria e Jashtme, Qeveria dhe Presidenca thonë se procesi është në fazën finale, ndërsa gazeta KOHA mëson se procesi ka ngecur në bisedimet mes partnerëve të koalicionit për ndarjen e kulaçit diplomatik. Nga ana tjetër, opozita kërkon që të konsultohet në procesin e emërimit të ambasadorëve të rinj. Për këtë çështje pushteti deri para një kohe e akuzonte ish-Presidentin, Gjorge Ivanov për bllokadë, ndërsa tani kur Stevo Pendarovski është shef shteti, konsultimet dhe procedura për plotësimin e vendeve të zbrazëta në përfaqësitë diplomatike e konsullore po zvarritet.
DIPLOMACIA TË REFLEKTOJ REALITETIN MULTIETNIK
“Mos plotësimi i vendeve të zbrazëta nëpër ambasada është një nga gabimet më të mëdha të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Opozita duhet të konsultohet në marrjen e vendimeve për plotësimin e vendeve të zbrazëta. Dy vite e gjysmë që kur Qeveria udhëhiqet nga LSDM-ja dhe pesë muaj që kur ka marrë detyrën presidenti Pendarovski, procedura për emërimin e ambasadorëve ende është në vijim. Pse nuk kryhet procedura? Ivanov nuk është më pengesë”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës kërkon që diplomacia e Maqedonisë së Veriut të reflektoj realitetin multietnik, dhe përfaqësimin e drejt dhe adekuat. “Diplomatët shqiptar, ambasador, sekretar dhe atashe, numerikisht janë të përfaqësuar shumë më pak se sa e obligon përqindja vetë Ministrinë e Punëve të jashtme. Jemi të interesuar për një diplomaci të pavarur nga politika, profesionistë dhe diplomat me karrierë. Kërkojmë që përzgjedhja e Ambasadorëve të jetë çështje inkluzive e gjithë subjekteve politike dhe jo të bëjnë pazare partitë e pushtetit LSDM-BDI. Presidenti Stevo Pendarovski në bazë të kompetencave të tija duhet të ndikojë në përzgjedhjen e Ambasadorëve të rinj, të respektojë përfaqësimin adekuat dhe profesionalizmin”, deklaroi për KOHA, Flakron Bezheti, zëdhënës i ASH-së. Partia e Selës, vlerëson se përgjegjësi për gjendjen e shqiptarëve në diplomaci ka BDI e cila asnjëherë si ka dhënë prioritet përfaqësimit të shqiptarëve. “Neve na intereson përfaqësimi i drejt dhe diplomatët shqiptar të jene profesionistë, sepse ne baze te informatave tona përfaqësimi i shqiptarëve nëpër ambasadat e huaj është shumë larg 23 %”, theksojnë nga ASH-ja. Lëvizja BESA e Bilall Kasamit, vlerëson se procesi i emërimit të ambasadorëve do të ishte mirë që të lihet që të bëhet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2020. “Pasi që tashmë ka një dakordim për zgjedhje të parakohshme parlamentare do ishte korrekte që të pritet zgjedhja e qeverise së re ne vitin 2020 e cila do ketë legjitimitetin e plotë për të bërë gjitha emërimet në përfaqësitë diplomatik konform ligjeve të vendit”, deklaroi për KOHA, Arjanit Hoxha, sekretari përgjithshëm i Lëvizjes BESA. Nga ana tjetër, gazeta KOHA mëson se procesi i përpilimit të listës kadrovike nga ana e Ministrisë së Jashtme ka ngecur në bisedimet mes parterëve të koalicionit. BDI-ja e Ali Ahmetit, kërkon përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve duke kërkuar emërime të shqiptarëve në disa nga ambasadat strategjike.
NUK JANË DORËZUAR NË PRESIDENCË PROPOZIME PËR AMBASADORË
Nga kabineti i Presidentit, Pendarovski thonë se konsultimet janë në vijim dhe se lista kadrovike ende nuk ka arritur nga Ministria e Jashtme.
“Procesi i zgjedhjes dhe emërimit të ambasadorëve në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore është në vijim. Kabineti i Presidentit është në komunikim të përhershëm me Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Deri më tani nuk janë dorëzuar propozime për zgjedhje kadrovike të ambasadorëve të ardhshëm nga ana e Qeverisë në pajtueshmëri me procedurat ligjore”, tha për KOHA, Biljana Radeva, nga Kabineti i Presidentit.
Ndërsa, Presidenti para një muaj në një nga intervistat e tij televizive patë deklaruar se për një kohë të shkurtë do të rrumbullakohet lista e propozimeve me ambasadorë. Ai madje deklaroi se në harkun kohor prej një muaj do të plotësohen 15 nga 27 vendet e zbrasta. Nga Qeveria thonë se deri te ato ende nuk ka arritur lista e propozimeve për ambasadorë të ardhshëm të vendit. “Te ne ende nuk ka arritur lista me propozime nga Ministria e Punëve të Jashtme, procesi është në vijim”, deklaroi për KOHA, Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Ndërkohë, nga Ministria e Jashtme thonë se procesi është në vijim e sipër dhe se është në fazën finale. “Në vazhdë është procesi i konsultimeve me Presidentin për përpilimin e listës së kandidatëve për ambasadorë me qëllim të gjetjes së një zgjidhje optimale. Procesi është në fazën finale, ndërsa pas përfundimit të tij, do të bëhen procedurat e nevojshme për komplentimin e procedurave”, thonë nga Ministria e Jashtme.
PËR SHKAK TË DALLIMEVE POLITIKE NUK DUHET TË PËSOJË DIPLOMACIA
Ish-diplomati, Denko Maleski thotë se për shkak të dallimeve të brendshme politike në asnjë mënyrë nuk duhet të pësojë diplomacia e vendit. “Do të ishte mirë që një vend i vogël si Maqedonia, ti ketë rregulluar të gjitha çështjet. Për një vend të vogël si Maqedonia që ka shumë problem në afirmimin e pozicionit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare do të ishte mirë që të gjitha këto çështje të vijnë në rend dhe të ketë ndryshime normale dhe të rregullta në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, pas boshllëqeve kohore. Dallimet e brendshme politike nuk duhet të jenë arsye për ngecje dhe zvarritje të këtyre proceseve”, deklaroi për KOHA, Maleski.
SHBA, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Holanda dhe Italia janë vetëm se një pjesë e shteteve më të rëndësishme ku diplomacia e Maqedonisë është “as në qiell, as në tokë”, kështu flasin të dhënat e publikuara në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në gjendje të ngjashme janë edhe vendet boshe në vendet fqinjë, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe Kroaci, ndërsa në Greqi, Shkupi zyrtar nuk ka dërguar as ushtrues të detyre ambasador.
Edhe pse pritet që vendi së shpejti të behet anëtare e plotfuqishme e NATO-s, megjithatë në selinë e saj në Bruksel, Maqedonia nuk ka ambasador, por ka emëruar Zoran Todorovin si ushtrues detyre. Ngjashëm është situata edhe me selit e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe Nju Jork, ku për një kohë të gjatë nuk është emëruar ambasador. (koha.mk)