Ekspertët thonë se një pjesë e madhe e të papunëve nuk janë të kualifikuar për vendet e punës që ofrohen, ndërsa nga ana tjetër një pjesë e madhe e të rinjve preferojnë punën e shtetit. Si të papunë janë evidentuar edh 684 magjistra dhe 25 janë doktor shkence
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 prill – Në Evropë papunësia ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me nivelin e arsimit. Të dhënat e EUROSTAT-it apo Zyrës Evropiane të Statistikave tregojnë se papunësia është më e vogël tek personat me arsim të lartë, ndërsa është më e lartë tek personat me nivel më të ulët të arsimit. Shkalla e punësimit në Bashkimin Evropian të personave të moshës 25-64 vjeç që kanë përfunduar arsim të lartë të niveleve të ndryshme në 28 shtetet e BE-së, ka qenë 85.8 për qind. Kjo shkallë e punësimit me 56.8 për qind, është shumë më e ulët në kontinentin e vjet për peronat që kanë kryer vetëm arsimin fillor ose arsimin e mesëm më të ulët. Tek ne nuk ekzistojnë statistika të ngjashme, megjithatë të dhënat tregojnë se edhe në Maqedoninë e Veriut niveli i papunësisë është më i lartë tek personat me arsim më të ulët , ndërsa është më i vogël tek personat e papunë me arsim të lartë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në muajin janar të këtij viti nga 56.380 të papunë që kërkojnë punë në mënyrë aktive, 11750 persona janë me arsim të papërfunduar të mesëm, 25275 janë me të papunë me arsim të mesëm, 1206 janë me shkollë të lartë, 9089 janë me fakultet të përfunduar, 684 janë magjistra dhe 25 janë doktor shkence të papunë.
Njohësit e tregut të punës në vend thonë se kompanitë me vite po kërkojnë punëtorë të profesioneve të ndryshme. Sipas ekspertit Rade Nenadiq, nuk është e vërtetë se të rinjtë ,nëse marrin një diplomë universitare, edhe më lehtë do të punësohen. “Të rinjtë me gjimnaze dhe fakultete shpesh nuk pranojnë të punojnë në ato vende pune që ofrohen duke pritur që të hapet një vend pune në profesionin e tyre. Andaj ato mbetet të papunë edhe për një kohë më të gjatë, duke mos pranuar as të punojnë për paga më të ulëta”, shton Nenadiq. Sipas tij, edhe jashtë shteti kryesisht do të gjejnë punë , personat me arsim teknik të lartë, apo inxhinierët , ndërsa me arsim të lartë nga shkencat shoqërore nuk mund të punësohen as në perëndim. Ai shton se mungesa e harmonizimit midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, është shkaku kryesor i papunësisë dhe vendeve vakante apo bosh të punës që vështirë po plotësohen. Sipas tij, një pjesë e madhe e të papunëve nuk janë të kualifikuar për vendet e punës që ofrohen, ndërsa nga ana tjetër një pjesë e madhe e të rinjve preferojnë punën e shtetit, apo të punësohen në administratën shtetërore.
Nga ana tjetër, edhe studimet e ndryshme tregojnë se të rinjtë nuk kanë shpresa të mëdha se do të punësohen pas përfundimit të shkollimit të tyre.
“Faktorët kryesor për të fituar një vend pune janë lidhjet dhe miqësitë, lidhjet politike, niveli i arsimit dhe aftësitë profesionale. Si faktorët kryesor për të pranuar një vend pune është paga, siguria e vendit të punës, kënaqësia nga vendi i punës, dhe puna në një ambient të këndshëm. Njëherazi të rinjtë preferojnë punësimin në sektorin publik para atij privat, ndërsa vetëm një e katërta shprehen se janë gati të merren me sipërmarrje”, tregon studimi për trendet rinore në shtet. Në përgjithësi, shpenzimet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në politika të tregut të punës (aktive dhe pasive), sillen rreth 1.34% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u luhatur mes 0.128 për qind të PBB-së në Rumani, e deri tek 3.091 për qind të PBB-së në Danimarkë. Në kuadër të politikave të tregut të punës, mund të listohen disa nga to që gjejnë zbatim nëpër shtete anëtare të BE: shërbimet e punësimit, trajnimet, stimujt e punësimit, mbështetja e punësimit dhe rehabilitimi, krijimi direkt i vendeve të punës, stimujt për nxitjen e start-ap, kujdesi social për të papunët dhe pensionimi i hershëm. Masa të ngjashme zbatojnë edhe shtetet e rajonit në varësi prej mundësive buxhetore.
Në Maqedoninë e Veriut, për vitin 2020 janë ndarë mjete të mëdha në vlerë prej një miliardë e 450 milion denarë për masat aktive për punësim, apo afër 25 milionë euro që pritet të përfshijnë 11.761 persona. Ato kanë vlerën e 0.25 për qind të PBB-së. (koha.mk)