Të zgjedhësh UEJL-në, do të thotë të kesh diplomë të pranuar dhe të njohur ndërkombtarisht. Studentët tanë me këto diploma pa asnjë problem mund të vazhdojnë studimet apo të punësohen në vendet perëndimore. Pastaj, të diplomosh në Fakultetin Juridik, do të thotë që në dorë të kesh një çelës që hap shumë dyer… thotë në një intervistë për gazetën KOHA, dr. Vedije Ratkoceri, docente e së drejtës penale dhe sigurisë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore
Bisedoi: Urim HASIPI
KOHA: Jemi në prag të regjistrimit të studentëve të rinj në universitete. A mund të na thoni se çfarë programe studimore ofron Fakulteti Juridik i Universitetit të Evropës Juglinore dhe cilat janë risitë e ofertës akademike këtë vit?
RATKOCERI: Fakulteti Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore ofron studime në tri cikle studimore, përkatësisht programe studimore në ciklin deridiplomik (bachelor), pasdiplomik (master) dhe studime të ciklit të tretë apo të doktoraturës. Në ciklin e parë, studentët mund të zgjedhin të studiojnë në programin studimor “Studime të drejtësisë” apo në atë të “Kriminalistikës dhe sigurisë”. Në studimet master – studentët mund të zgjedhin të studiojnë në drejtimet: E drejta penale, E drejta civile, Studime të sigurisë, E drejta ndërkombëtare si dhe në drejtimin E drejta kushtetuese dhe administrative.
Risi për këtë vit akademik është programi i ri studimor “Informatika juridike”, program ky mjaft inovativ dhe atraktiv, i akredituar konform standardeve evropiane dhe nevojave të tregut të punës. Risi tjetër për këtë vit akademik kemi edhe ofrimin e programit studimor “Kriminalistikë dhe siguri” edhe në kampusin e Shkupit, pra në këtë drejtim studentët do të mund të regjistrohen edhe në Shkup. Gjithashtu, në këto programe studimore studentët e ardhshëm mund të zgjedhin të studiojnë në sistemin tre vjeçar (180 EKTC) apo në atë katër vjeçar (240 EKTC).
Vlen të theksohet edhe mundësia e artë që ofron Universiteti i Evropës Juglindore, bursat meritore të cilat akordohen në bazë të suksesit të arritur gjatë shkollimit të mesëm (nota mesatare gjatë katër viteve) edhe atë për nxënësit me notë mesatare 5.00 lartësia e bursës vjetore është 60 për qind. Për ata me notë mesatare 4.50 deri 4.99, lartësia e bursës vjetore arrin në 40 për qind. Lehtësim tjetër për të bërë pagesën e shkollimit në universitetin tonë, është paraparë edhe mundësia e pagesës me këste si dhe programi “Punë dhe studime”, e gjithë kjo për të lehtësuar barrën e pagesës për çdo nxënës që dëshiron të studiojë në Universitetin tonë.
KOHA: Mund të thoni se pse studentët e ardhshëm duhet të zgjedhin të studiojnë në UEJL, e veçanërisht në Fakultetin Juridik?
RATKOCERI: Duhet të zgjedhin UEJL-në sepse pike së pari, diplomat universitare të cilat bartin emrin e Universitetit të Evropës Juglindore, janë diploma të pranuara dhe njohura ndërkombtarisht. Studentët tanë me këto diploma pa asnjë problem mund të vazhdojnë studimet apo të punësohen në vendet perëndimore. Pastaj, të diplomosh në Fakultetin Juridik do të thotë që në dorë të kesh një çelës që hap shumë dyer. Pra, ky drejtim të ofron mundësinë që varësisht prej preferencës, të mund të orientohesh në disa profesione si gjykatës, avokat, noter, prokuror, jurist, profesor e shumë-shumë profesione të tjera. Gjithashtu, të studiosh në Fakultetin Juridik pranë UEJL-së do të thotë të të ligjërojë një staf akademik i përbërë nga profesorë eminent të lëmisë dhe profesionist në punën e tyre. Më tej, mund të themi se kemi një infrastrukturë moderne të punës dhe studimit, e shtrirë në dy kampuse, një në Tetovë dhe tjetri në Shkup. Kemi klasa dhe ambiente të punës të pajisura me teknologji adekuate që na mundësojnë stil atraktiv dhe interaktiv të të ligjëruarit e të mësuarit. Pastaj, puna jonë me studentë, por edhe studimi i tyre në Universitetin tonë është i lehtësuar përmes disa platformave digjitale, të cilat na mundësojnë komunikim të ndërsjellë, si dhe qasje në informatat relevante në çdo kohë. Të gjitha këto bashkë (por edhe shumë të tjera), të gërshetuara njëra me tjetrën besoj se kompletojnë në tërësi nevojat e një studenti që të jetë sa më i suksesshëm gjatë studimeve dhe të ketë një karrierë të shkëlqyer pas diplomimit.
KOHA: Përveç studimeve të stilit klasik, rëndësi të veçantë për formësimin e një juristi të ardhshëm padyshim ka edhe puna praktike. Sa i kushtoni rëndësi këtij elementi në Fakultetin tuaj?
RATKOCERI: Shumë… Nuk ka diskutim që puna praktike është elementi kyç që e formëson një jurist të ardhshëm. Përveç punës praktike njëmujore gjatë një viti akademik që studentët tanë e realizojnë në institucione të ndryshme me të cilat UEJL, por edhe Fakulteti Juridik ka marrëveshje bashkëpunimi, studentët gjatë studimeve të tyre në kuadër të lëndëve përkatëse realizojnë edhe shumë vizita studimore. Kështu, ata ndjekin seanca gjyqësore (civile e penale) në Gjykatat Themelore në Shkup e Tetovë, vizitojnë institucionet e ndryshme ndëshkuese-korrektuese, pra burgjet, si burgun e Idrizovës, atë të Tetovës, burgun për të mitur në Ohër e kështu me radhë. Vizitojnë dhe njoftohen nga afër me punën e Parlamentit të RMV-së, Gjykatën Kushtetuese, Fondin pensional dhe invalidor etj. Gjithashtu, në kuadër të secilës lëndë realizohet edhe mësim klinik që nënkupton ndjekjen e një ligjërate nga një profesionist i asaj lëmie. Ndërkaq, studentët e drejtimit të kriminalistikës dhe sigurisë shkojnë edhe në poligon dhe trajnohen për gjuajtje me armë zjarri, si dhe ndjekin mësim klinik nga ekspertë të sigurisë, të cilët nga afër i njoftojnë me teknikat e ndryshme me të cilat hetohen dhe gjurmohen veprat e ndryshme penale.
KOHA: Sa rëndësi i kushtoni hulumtimit shkencor?
RATKOCERI: Hulumtimi shkencor është një ndër atributet tona bazë si Universitet, por edhe si Fakultet. Nuk jemi vetëm Qendër universitare, por edhe Qendër hulumtuese. Siç e theksova dhe më lartë, në Fakultetin tonë janë të akredituara edhe programe studimore të ciklit të tretë. Tashmë veç edhe kemi disa doktorë shkencash nga mbarë trevat shqiptare, të cilët studimet e tyre me sukses të lartë i kanë përfunduar në Fakultetin tonë. Hulumtimet shkencore që i kanë realizuar bashkë me mentorët e tyre me shumë bindje mund të themi se janë një kontribut i veçantë për shkencën juridike. Kjo, sepse kanë trajtuar temat e tyre me një kompetencë të lartë, kanë hulumtuar tema të veçanta dhe pak të shtjelluara më parë. Shumë aktivë në sferën e hulumtimit shkencor janë edhe vet stafi akademik. Profesorët tanë botojnë punime shkencore nga sfera e tyre e studimit në revista ndërkombëtare prestigjioze, si dhe janë pjesëmarrës aktiv në Konferenca të ndryshme shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Fakulteti Juridik po ashtu është organizator i Konferencave të shumta shkencore, simpoziumeve, tryezave të rrumbullakëta, ligjëratave nga profesorë eminent dhe individë të suksesshëm nga sfera të ndryshme si nga vendi, ashtu edhe nga jashtë, në të cilat evente trajtohen tema të ndryshme relevante shkencore. Nuk do të anashkaloja në fund edhe temat hulumtuese të studentëve të ciklit të dytë, master, si dhe rastet e studimit të cilat i punojnë studentët e ciklit të parë. Të gjitha këto bashkë besoj se pa dyshim e shndërrojnë Fakultetin tonë në një qendër nga e cila jepet një kontribut i veçantë në zhvillimin e shkencës juridike.
KOHA: Ku janë sot të diplomuarit apo Alumnit e Fakultetit tuaj?
RATKOCERI: Sot Alumnit tanë janë të punësuar dhe të suksesshëm. I gjejmë në të gjitha institucionet, duke filluar nga universitetet, ku shumë profesorë universitar si brenda ashtu edhe jashtë vendit janë ish-studentë tanë. Pastaj një numër bukur i madh janë të angazhuar në institucionet e jurisprudencës, pra në gjykata, në prokurori, avokat e noter. Përveç kësaj, shumë prej tyre janë të punësuar edhe në sektorin privat, në administratën shtetërore, kemi ambasadorë , politikan etj.
KOHA: Ndonjë porosi për në fund?
RATKOCERI: Në fund do të doja që ti porosis maturantët shqiptarë, studentët e ardhshëm që pavarësisht asaj se çfarë vendosin të studiojnë apo ku vendosin të studiojnë, të studiojnë me zemër dhe me një përkushtim maksimal. Vetëm rini e ndritur, e pajisur me dituri, e aftësuar në profesionin e tyre mund të na shpijnë përpara. Rinia e veçanërisht studentët janë zemra e një kombi. Ne si komb, pa një rini të shëndoshë e të arsimuar nuk mund të presim prosperitet e ardhmëri evropiane.