Dinamo e Zagrebit dhe produktiviteti ynë

Mbetet në të ardhmen sfida që rritja prej së paku 4 deri në 5 për qind të mbështetet biznesi me kredi afatgjate prej 10 deri 15 vjet. Nëse si shtet kemi hyrë në borxh prej 30 vitesh për të ndërtuar akset kryesore rrugore me grejs periudhë prej 10 vitesh, pse nuk u mundësojmë bizneseve me plane interesante për investime, që të ndërtojnë fabrika e që do ti paguajnë për 10-deri 15 vite me një periudhë grejs apo të pritjes për fillimin e pagesës së kredisë?

 

Nga Fisnik PASHOLLI

Ndër faktorët kryesor të rritjes së standardit të qytetarëve, apo përmirësimit të mirëqenies së tyre mbetet rritja e konkurrencës së ekonomisë dhe produktivitetit të saj. Nëse i kthehemi futbollit si pasqyrë e jetës, ekonomisë dhe rezultateve në fusha të ndryshme , mund të përmendim klubin e futbollit të Dinamos së Zagrebit që vitet e fundit është sinonim në Ballkanin Perëndimor për shitjen e lojtarëve me shuma marramendëse në klubet e njohura perëndimore. Lojtarët që dalin nga shkolla e futbollit të këtij klubi si Luka Modriç, Mario Manxhukiq… vite me radhë realizojnë transfere që lënë pa mend gjithsecilin. Pse e përmendim këtu këtë klub? Për shkak se edhe Kroacia ka pasur rrugëtim të ngjashëm me Maqedoninë në jetën e saj politike dhe shoqërore me një tranzicion të tejzgjatur, ku edhe pse është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, nuk ka shfrytëzuar sa duhet shansin të përmirësojë sa duhet standardin e qytetarëve të saj dhe njëjtë sikur vendet tjera të rajonit, shënon ikje të madhe të popullatës jashtë kufijve të saj.

Megjithëse jo në nivel ngjashëm si ne, edhe Kroacia ka probleme me funksionimin e gjyqësorit, shëndetësisë, bujqësisë… Por, në prodhimin e futbollistëve që nesër do të shiten në tregjet e jashtme, apo në “përkthimin” e talenteve në lojtarë me potencial – të ndryshojnë lojën dhe bëjnë dallimin në lojën e klubeve evropiane, që është edhe esenca e lojtarëve të klasit të parë.

Dinamo e Zagrebit jo vetëm i tejkalon, por edhe i deklason thellë të gjithë klubet në rajon. Marko Pjaca u shit në Juventus për 23 milionë euro, Luka Modriç u shit në Totenhem për 21 milionë, Vedran Çorluka në Mançester Siti dhe Eduardo në Arsenal u shitën me nga 13 milionë euro…, duke bërë që ku klub të fitojë më shumë se 150 milionë euro nga shitja e futbollistëve në dekadën e fundit.

Një fakt i tillë nënkupton një punë të shkëlqyer si të shkollës së Dinamos së Zagrebit, por edhe një menaxhim brilant të ish-kryetarit të klubit, Zdravko Mamiq.

Përkundër kësaj, suksesi i produktivitetit të klubit nga Zagrebi në përkujdesjen dhe shitjen e futbollistëve nga inkubatori që rrit futbollistë , nuk mund të mohohet. Nëse i kthehemi realitetit tonë ekonomik , kjo do të thotë se produktiviteti si raport i sasisë së prodhimeve dhe inputit apo mjeteve hyrëse si puna, materiali, teknologjia, energjia dhe kapitali, nënkupton se me vlerën sa më të vogël të inputeve, rritet produktiviteti, apo me investime relativisht të ulëta – të maksimalizohet vlera e investimeve.

Nëse i referohemi bujqësisë, rritja e produktivitetit nënkupton se një fermer është më efektiv në punën e tij me parmendë se sa me shati, por është edhe me produktiv me traktor në raport me parmendën dhe shatin. Apo me fjalë të tjera, nuk është aq i rëndësishëm punëtori se sa pajisja kapitale e punës.

Dituria e rrit produktivitetin në një nivel më të lartë, ndërsa pajisja kapitale e rrit edhe vlerën e kapitalit në kompani. Nëse dikush investon në makineri të ndryshme bujqësore, nevojitet të shpaguhet prodhimtaria bujqësore dhe blegtorale, për shkak se fitimi është faktori kryesor që përcakton produktivitetin më të madh. Produktivitetit nuk vjen vetëm nga arsimimi dhe edukimi, por edhe investimi në teknologji. Se sa dikujt do ti shpaguhet të investojë në teknologji varet edhe nga ambient ekonomik, zbatimi i reformave, lehtësimi i kushteve për biznes-bërje, politika monetare dhe fiskale etj.

Mbetet në të ardhmen sfida që rritja prej së paku 4 deri në 5 për qind të mbështetet biznesi me kredi afatgjate prej 10 deri 15 vjet. Nëse si shtet kemi hyrë në borxh prej 30 vitesh për të ndërtuar akset kryesore rrugore me grejs periudhë prej 10 vitesh, pse nuk u mundësojmë bizneseve me plane interesante për investime, që të ndërtojnë fabrika e që do ti paguajnë për 10-deri 15 vite me një periudhë grejs apo të pritjes për fillimin e pagesës së kredisë?

A do të arrihet kjo me rritjen e kapitalit të shtetit në Bankën e Maqedonisë për Përkrahje dhe Zhvillim, apo me mënyra të tjera – nuk ka rëndësi. Kryesorja të mbështetet më fuqishëm dhe më seriozisht çdo investim që sjell punësime, teknologji të re dhe eksport më të madh. Fundja, produktiviteti i punës tashmë dominohet nga teknologjia, e pasuar nga menaxhmenti dhe në fund – nga fuqia punëtore. (koha.mk)