Është e qartë se ka një pazar pas perdes dhe prandaj VMRO-DPMNE, gjegjësisht qeveria e ardhshme, nuk ka ndërmend ta mbështesë një pazar të tillë, të fshehur pas syve të opinionit. Ky është mesazh për Petkovin, për Radevin dhe për të gjithë, tha kreu i opozitës maqedonase, Mickoski. Ndërkaq kryeministri Kovaçevski tha se sapo të ketë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët, natyrisht që do të ndahet me opinionin dhe normalisht do të ndahet përmes institucioneve të cilat do të duhet ta miratojnë atë vendim
Xhenur ISENI
Shkup, 18 shkurt – Politikanët duhet të merren me çështje politike sepse janë zgjedhur për këtë dhe duhet ta bëjnë në bazë të vlerave evropiane, ndërsa historianët duhet të hulumtojnë çështjet historike. Bisedimet me Bullgarinë për çështje të hapura politike zhvillohen në nivel të grupeve të ekspertëve dhe të gjitha rezultatet e bisedimeve informon Ministria e Punëve të Jashtme pas takimeve, tha dje kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke komentuar çështjet e hapura politike dhe historike mes Shkupit dhe Sofjes. Bisedimet vazhdojnë dhe posa të ketë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ajo do të ndahet me opinionin, thotë Kovaçevski. Ai theksoi se Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani për çështjet e hapura politike pati një fjalim në Komisionin për Punë të Jashtme në Parlament, ku në radhë të parë u informuan të gjithë deputetët. “Procesi zhvillohet në nivel të ekspertëve që punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme me kapacitet të plotë me kolegët e tyre nga Bullgaria dhe sapo të ketë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët, natyrisht që do të ndahet me opinionin dhe normalisht do të ndahet përmes institucioneve të cilat do të duhet ta miratojnë atë vendim në përputhje me dispozitat ligjore dhe kushtetuese të shtetit”, tha Kovaçevski i pyetur për deklaratën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski se nuk do të njohë asnjë marrëveshje me Sofjen derisa po merren vesh me dyer të mbyllura.
Lidhur me temat e hapura historike dhe aktualizimin e çështjes së Goce Dellçevit, Kovaçevski tha se “Delçevi është themeluesi i një lufte kombëtare që ka luftuar për shtetin e pavarur maqedonas në të cilin jetojmë sot, që është anëtare e NATO-s, që është një hap afër hapjes së negociatave me BE-në sapo të zgjidhen çështjet me Bullgarinë. Ato, thotë ai, duhet të zgjidhen në frymën e vlerave evropiane në frymën e ruajtjes së dinjitetit të qytetarëve të të dy vendeve. “Duke qenë se ka çështje të hapura që janë pjesë e historisë, është themeluar një Komision Historik, gjegjësisht një Komision për Çështje Historike dhe Arsimore siç janë komisionet ndërmjet vendeve që kanë pasur mosmarrëveshje historike edhe në pjesë të tjera të Evropës. Komisione të tilla ekzistojnë midis Gjermanisë dhe Polonisë dhe midis vendeve të tjera dhe kanë funksionuar ndër vite. Edhe ky Komision punon sipas metodologjisë së tij, sipas fakteve historike dhe në të marrin pjesë profesorë të historisë dhe prandaj them që politikanët duhet të merren me çështje politike sepse janë zgjedhur për këtë dhe duhet ta bëjnë këtë duke u bazuar në vlerat evropiane. Historianët duhet të hulumtojnë çështjet historike dhe në bazë të njohurive të përbashkëta t’i komunikojnë së bashku”, theksoi Kovaçevski.
Në një bisedë telefonike mes Kovaçevskit dhe homologut të tij holandez Mark Rutte është biseduar edhe për dialogun e rinovuar Shkup – Sofje. Kovaçevski e informoi Ruten për dinamikën e re në bisedimet dhe komunikimin e hapur me kryeministrin e Bullgarisë Kiril Petkov. U konstatua se kontaktet e intensifikuara duhet të ofrojnë zgjidhje reciproke të pranueshme për çështjet e hapura për të dyja palët, gjë që do të përshpejtojë vendimin për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në, e cila pritet të ketë ndikim pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Edhe Franca ka shprehur mbështetjen për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Qëndrimi i presidencës aktuale të BE-së është i qartë – dhe ai është hapja sa më e shpejtë e negociatave për anëtarësim si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë. Ambasadori francez në vend Siril Bomgartner tha të martën se nëse arrihet përparim i vërtetë në bisedimet bilaterale midis Shkupit dhe Sofjes, përfundimi i të cilave do të nënkuptonte hapjen e negociatave, Franca jo vetëm që është e gatshme dhe ta bëjë këtë gjatë presidencës së saj, por do të jetë një nder i vërtetë. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje tha se nuk ka ndërmend të “mbështesë asnjë pazar në lidhje me bisedimet me Bullgarinë”. Sipas tij, nëse qeveria do të kishte një qëllim të ndershëm për të përfshirë në proces opozitën, fillimisht duhet të kishte ndarë me të pyetësorin 5 + 1 dhe të fliste seriozisht. “Është e qartë se ka një pazar pas perdes dhe prandaj VMRO-DPMNE, gjegjësisht qeveria e ardhshme, nuk ka ndërmend ta mbështesë një pazar të tillë, të fshehur pas syve të opinionit. Ky është mesazh për Petkovin, për Radevin dhe për të gjithë”, tha Mickoski dje duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. (koha.mk)