Shkup, 18 shkurt – Delegacioni i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut udhëhequr nga deputeti Ilija Dimovski, shef i delegacionit në Kuvendin parlamentar të NATO-s, sot ka marr pjesë në takimin e Këshillit Veriatlantik. Në delegacion është edhe nënkryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, Vesel Memedi, shkruan gazeta KOHA.
Takimi i sotëm i Këshillit Veriatlantik është udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa prezent ishin edhe përfaqësuesit e lartë të parlamenteve të 29 vendeve anëtare, mes të cilëve edhe spikerja e Kongresit të SHBA-ve, Nensi Pellosi, e cila personalisht deri te deputeti Ilija Dimovski dhe delegacioni nga Maqedonia dërgoi urimet për qytetarët e Maqedonisë në emër të Kongresit të SHBA-ve.
Në takimin e Këshillit Veriatlantik fjalim mbajti edhe shefi i delegacionit parlamentar të Maqedonisë në NATO, deputeti Ilija Dimovski, i cili theksoi se në Maqedoni u sollën vendime të rënda dhe të dhimbshme dhe prandaj meritojnë respekt të posaçëm nga të gjithë aleatët e NATO-s. Duke potencuar përkushtimin e Maqedonisë që nga viti 1993 kur për herë të parë Parlamenti i Maqedonisë vërtetoi përcaktimin e vet për anëtarësim në Aleancën e NATO-s, Dimovski kërkoi ratifikim të përshpejtuar të Protokollit për anëtarësim në NATO nga Parlamentet e të gjitha 29 shteteve anëtare, por edhe i falënderoi kolegët nga Parlamentet e Greqisë, Shqipërisë dhe Sllovenisë që tashmë kanë bërë një gjë të tillë.
Takimin e sotëm të Këshillit Veriatlantik delegacioni parlamentar i Maqedonisë e shfrytëzoi që përmes takimeve bilaterale me përfaqësuesit e parlamenteve nga shumë vende anëtare të NATO-s ku sërish kërkoi ratifikim të përshpejtuar të Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë nga kolegët në të gjitha 29 vendet anëtare. Pritshmëritë e delegacionit të Maqedonisë janë se procedura për ratifikim të Protokollit për anëtarësim do të shkojë shpejtë dhe pa pengesa në të gjitha parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s. Delegacioni parlamentar i Maqedonisë do të vazhdojë vizitën e vet në NATO edhe gjatë dy ditëve në vijim. (koha.mk)