Shkup, 2 tetor – Drejtori i Agjencisë për siguri nacionale, Viktor Dimovski sot para Komisionit për mbikëqyrje të punës së Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim dhe të Agjencisë për zbulim do të informojë për pranimin e punëtorëve nga ish-DSK-ja në ASN, e cila filloi me punë prej 1 shtatorit.
Pikë e parë e rendit të ditës në mbledhje është Informimi i Komisionit nga ana e drejtorit të Agjencisë për siguri nacionale lidhur me marrjen, selektimin dhe zgjedhjen e punëtorëve nga DSK-ja në ASN, raporton KOHA.
Për ndryshimet kadrovike para Komisionit do të referojë edhe Erolld Musliu, drejtori i Agjencisë për zbulim. Ndryshimet kadrovike dhe gjendjet në Agjencinë për zbulim janë pika e dytë e rendit të ditës.
ASN, e cila në të vërtetë e zëvendësoi DSK-në, zyrtarisht filloi me punë prej 1 shtatorit, pasi që në fillim të muajit të kaluar në mbledhje qeveritare u konstatua ndërprerja e funksionit të drejtorit të fundit të DSK-së, Goran Nikollovski.
Ligjet për reformë të sistemit të sigurisë u sollën me konsensus mes pushtetit dhe opozitës, deputetë të LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së janë të kyçur si vëzhgues gjatë selektimit të kuadrove në ASN, ndërkaq dje anëtari i Komisionit për selektim dhe zgjehdje të punëtorëve nga DSK në ASN, Trajço Dimkov, përmes kumtesës informoi se kryeministrit Zoran Zaev i ka parashtruar dorëheqje nga vendi në këtë trup.
Dimkov, i cili është deputet në Kuvend nga radhët e VMRO-DPMNE-së, në kumtesë thekson se ndjen për obligim ta informojë opinionin për motivet e dorëheqjes, duke cekur se për anëtar të Komisionit ishte zgjedhur me vendim të Qeverisë.
ASN e sapoformuar, e cila doli nga rekomandimet e Rajnhard Pribes për reformim të sistemit të sigurisë-zbulimit në vend pas skandalit me përgjimet, prej fillimit të punës së tij u përball me akuza se shumë nga të punësuarit kanë padi penale, disa prej tyre shtetësi të dyfishtë, ndërsa ka edhe ankesa se një përqindje e vogël e të punësuarve janë të nacionalitetit shqiptar.
Dimovski në intervistë për MIA-n, lidhur me vërejtjet në opinion lidhur me selektimin e kuadrove të punësuar në Agjenci thotë se komisioni ka mbajtur 39 takime gjatë periudhës së kaluar dhe përfundimisht e ka miratuar listën me numrin e nevojshëm të të punësuarve të cilët i përmbushin kriteret që ishin caktuar paraprakisht. Nuk do të lejojmë, thekson, në Agjenci të punojnë njerëz të cilët mundësisht kanë konflikt interesi, të ketë pjesëtarë të cilët nuk i përmbushin kushtet e përgjithshme dhe të posaçme.
Potencoi se kanë mbajtur llogari për obligimin ligjor për përfaqësim të drejtë, por edhe në mënyrë të rreptë u janë përmbajtur dispozitave nga neni 67 i Ligjit për kandidatët për punësim apo të atyre të cilët kanë punuar në ish-DSK me shtetësi të dyfishtë. Është me rëndësi të përmendet, shton ai, se vetingu nuk paraqet akt, por proces, dhe për të gjitha njohuritë shtesë që i kam dhe për kandidatët tashmë të selektuar do të rishqyrtohen në kuadër të një procesi të kontrollit dhe do të udhëhiqen në bazë të rezultateve të marra nga ai proces.
Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dje deklaroi se për rreth 50 të punësuar në ish-DSK është konstatuar rrezik i sigurisë për punë në shërbimet e sigurisë dhe do të duhet të largohen nga MPB-ja, pas çka do të sistemoheshin në institucione të tjera shtetërore.
Ministri tha se të punësuarit në DSK të cilët nuk kanë aplikuar në agjencinë e re, mbeten në MPB, ndërkaq ata të cilët nuk e kaluan vetingun, shkojnë në institucione të tjera.
Nga dëshmitarët në rastin “Target- Fortesa”, njerëzit të cilët i kanë zbuluar dhe tërhequr nga Drejtoria materialet e regjistruara jolegale apo “bombat”, vetëm Zvonko Kostovski ka aplikuar dhe është pranuar në Agjencinë për Siguri Kombëtare (ASK), derisa Llazarevski nuk ka aplikuar dhe mbetet në MPB. (koha.mk)