Shkup, 12 nëntor – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski, sot mori pjesë në takimin e punës së 13-të të ministrave të bujqësisë nga Evropa juglindore, që u mbajt në Prishtinë.
Në takim, siç kumtuan nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ministrat kanë biseduar për politikat dhe masat për zhvillim të bujqësisë dhe zhvillimit rural në rajonin e Evropës juglindore, procesin e bashkëpunimit rajonal në fushën e bujqësisë, si dhe procesin e integrimin në Bashkimin Evropian të vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Në takimin e sotshëm ministri Dimkovski zyrtarisht ia dorëzoi kryesinë e deritanishëm ministres së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Dijana Zhiviq.
Dimkovski me këtë rast potencoi se bashkëpunimi është rruga e vetme për përparim të vendeve nga Ballkani Perëndimor.
“Ne ballafaqohemi me shumë probleme të ngjashme që mund të zgjidhen në mënyrë më efikase, nëse punojmë bashkërisht. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Republikës së Maqedonisë së Veriut, vazhdon të punojë e përkushtuar së bashku me vendet tjera në rajon, me qëllim të përmbushjes së vizionit për sektorin e bujqësisë së përparuar dhe të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor. Është e qartë se pa ndihmën teknike dhe financiare të Komisionit Evropian ky bashkëpunim më vështirë do të zhvillohej. Për këtë gjë, e shfrytëzoj mundësinë që t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian që ta njeh rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural për të mirën e përgjithshme të vendeve nga Ballkani Perëndimor. Vazhdojmë të punojmë për implementimin e të gjitha propozimeve dhe politikave me qëllim të përafrimit drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi ministri Dimkovski.
Takimi i punës për këtë vit është nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës dhe Grupit punues të vazhdueshëm për zhvillim rural në Evropën Juglindore. (koha.mk)