Bruksel, 25 mars – Fakti që BE-ja shfaqi vullnet, energji dhe fuqi që të sjellë vendim për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në këto kohëra shumë të vështira është sinjal shumë i rëndësishëm për ne, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov për portalin e Brukselit “Politiko”.
“Pasi virusi korona të mbetet pas nesh, ne do të kemi të ardhme evropiane para nesh. Kjo është një rreze drite në këtë errësirë që është kudo rreth nesh”, theksoi Dimitrovi, pas vendimit të djeshëm të ministrave për Çështje Evropiane të BE-së se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë negociata për anëtarësim pa kurrfarë kushtesh shtesë.
Duke e komentuar vendimin e djeshëm të ministrave evropianë, “Politiko” bën të ditur se kjo është “dëshmi se blloku prej 27 anëtareve mund të arrijë marrëveshje për një temë e cila një kohë të gjatë shkaktonte ndasi, madje edhe kur Evropa është në gjendje të krizës për shkak të koronavirusit”.
“BE-ja mbetet operative, e transmeton portali deklaratën e sekretares shtetërore kroate për Çështje Evropiane, Andreja Metellko-Zgombiq.
“Politiko” transmeton edhe deklaratë të shefit të diplomacisë gjermane Hajko Mas, i cili vlerësoi se me vendimin e djeshëm Evropa ka treguar se i mban premtimet.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e fillojnë fazën e ardhshme të rrugëtimit të tyre drejtë BE-së. Ky është pranim i vonuar për arritjet e tyre reformuese. Shtete të qëndrueshme dhe efikase demokratike kushtetuese të Ballkanit Perëndimor janë interesi ynë strategjik. Edhe orientimi drejtë modelit evropian të paqes, lirisë dhe prosperitet mbetet faktori më i fuqishëm i stabilitetit në fqinjësinë tonë”, tha Mas.
Portali thekson se tani Komisioni Evropian duhet të përgatisë kornizë negociatash me të dyja vendet, që pastaj duhet të mbështetet nga vendet anëtare të BE-së,që në fund të mbahen konferencat ndërqeveritare.
“Politiko” përkujton edhe se derisa për vendin nuk janë vendosur kurrfarë parakushtesh për fillimin e negociatave, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushte shtesë para se të jetë gati për hapat e ardhshëm të procesit të negociatave.