Shkup, 27 maj – Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov sot u takua me Ivo Vajgëll, anëtar i Parlamentit evropian dhe raportues special i Parlamentit, përgjegjës për Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili qëndron për vizitë pune në Shkup, njofton Koha.mk
Në takimin, siç kumtoi MPJ-ja, u bisedua për bashkëpunimin e përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Parlamentin evropian në kuadër të procesit eurointegrues, për aktivitetet kyçe reformuese në vend, si dhe për zgjedhjet e sapombajtura evropiane.
“Eurodeputeti e ka përsëritur qëndrimin e tij për përparimin e dukshëm të realizuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe konstatimin se këtë vit BE-ja duhet t’i hapë negociatat me vendin. Në atë drejtim, Dimitrov theksoi se në fokus të aktiviteteve janë realizimi i obligimeve të mbetura nga agjenda e BE-së në prag të Raportit të sivjemë të KE-së, si dhe pritjet për miratimin e vendimit të Këshillit të BE-së për fillim të negociatave aderuese në qershor të vitit 2019”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Duke marrë parasysh se Vajgëll nuk u kandidua sërish për deputet evropian në Parlamentin Evropian, Dimitrov iu falënderua për kontributin e deritanishëm dhe angazhimin në realizimin e përparimit të vendit në rrugën drejt BE-së, si dhe raportit të sinqertë miqësor dhe angazhimet personale. Me këtë rast, i dëshiroi sukses në punën e mëtejshme, me dëshirë që të mbetet mik i afërt i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe edhe më tej t’i përkrah proceset eurointegruese të vendit. (koha.mk)