Shkup, 4 prill – Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në suaza të vizitës së parë të tij të punës në Republikën e Francës, u takua me nikoqirin e tij francez për Evropë dhe Punë të Jashtme, Zhan-Iv le Drian.
Nga MPJ-ja njoftuan se në takim ministrat kanë shprehur kënaqësinë nga angazhimet e ndërsjella për inkorporim të dinamikës së re në dialogun politik, i cili është në funksionim të pasurimit të bashkëpunimit të përgjithshëm bilateral mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Francës.
Gjatë bisedës, ministri Dimitrov e theksoi rëndësinë që Republika e Maqedonisë ua kushton marrëdhënieve me Francën, si në planin bilateral, ashtu edhe në kontekst të ardhmërisë evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Maqedonisë. Ai i konfirmoi homologut të tij francez se Republika e Maqedonisë insiston, nëpërmjet veprimit të saj të politikës së jashtme pro-evropiane, të jetë partneri serioz dhe i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Gjithashtu Dimitrov e ka njoftuar homologun e tij francez edhe me aktivitetet e ndërmarra reformuese të Qeverisë në prag të integrimit evropian dhe euroatlantik, por edhe më gjerë, në kontekst të rolit të Republikës së Maqedonisë, si katalizator i bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal.
Ministri Dimitrov u takua edhe me Filip Etien, këshilltar diplomatik i presidentit francez, Emanuel Makron, ku argumentoi se pse Republika e Maqedonisë është mundësi për sukses të përbashkët në Ballkan këtë vit.
Vizita e ministrit ka filluar me fjalim në Institutin e njohur për marrëdhënie ndërkombëtare – IFRI, ku në temën “Arritjet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në drejtim të realizimit të angazhimit për integrim në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, u shkëmbyen mendime me ekspertë francezë nga fusha e çështjeve evropiane, Ballkani dhe politika ndërkombëtare.
“Ballkani është rajon i cili gjeografikisht i përket Evropës dhe i cili ekonomikisht është në të njëjtën anije. Rruga ballkanike e emigrantëve tregoi sa është i rëndësishëm ky rajon për sigurinë evropiane dhe sa kohë duhet sfidat e rajonit t’i zgjidhim së bashku. Kthimi i gjeopolitikës në rajonin tonë, në një farë mënyre, është rezultat, ndër të tjerat, edhe i mungesës së angazhimit nga ana e BE-së gjatë viteve të fundit. Shpresojmë që hapat e ardhshëm, mes të cilëve edhe raporti i Komisionit Evropian që presim më 17 prill, të stimulojë kyçje të rritur”, ka theksuar Dimitrov.
Na duhet më shumë nga Franca në Ballkan, tha Dimitrov dhe ka theksuar se do të ishte mirë të rritet prania e kompanive franceze, por edhe vëmendja politike.
“Jam i vetëdijshëm se fytyra e re e Francës është përqendruar drejtë ardhmërisë të Evropës, drejt konsolidimit të saj, drejt sigurimit të një qasjeje të unifikuar për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme. Guxoj të rekomandoj që ky vizion i rëndësishëm duhet të përfshijë edhe angazhimin e të tillë aktiv evropian në Ballkan”, ka theksuar Dimitrov.
Gjatë vizitës, ministri Dimitrov do të realizojë takime edhe në Kuvendin Kombëtar të Francës dhe në Senat.