Dimitrov: Qëndrimi i Makronit është sinjal i mirë

5

Shkup, 15 shkurt – Ministri për Punë të Jashtme, Nikolla Dimitrov ka thënë se qëndrimi i presidentit francez, Emanuel Makron se nëse rezultatet e Raportit të KE-së në mars për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë janë pozitiv, ai do të mbështeste hapjen e negociatave me ta që të bëhen anëtare të Unionit, është sinjal shumë pozitiv dhe se vendi duhet të bëjë gjithçka që Raporti i KE-së të jetë shumë më pozitiv. Kjo, ka thënë Dimitrov, para së gjithash nënkupton se duhet të miratohet ligji për Prokurorinë publike, njofton KOHA.

“Me rëndësi të posaçme është se Maqedonia e Veriut ka qenë në fokus edhe në paraqitjen e presidentit francez Makron i cili duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit të Ekonomistit, thekson se nëse vendet anëtare e miratojnë metodologjinë e re për procesin aderues, nëse raportet për dy vendet Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë janë pozitiv, Franca pozitivisht do të rishikojë çështjen dhe vendimin e fillimit të negociatave paraqasëse në mars”, ka thënë ministri Dimitrov i cili merr pjesë në konferencën e sigurisë në Munih.

Ai ka thënë se ka pasur debat mes gazetarëve që e ndjekin këtë çështje, si gazetarë nga Politiko, Ekonomist dhe siç shton, “përshtypje e përgjithshme është se presidenti francez ka qenë në nuancë më pozitiv nga e zakonshmja e që është një sinjal pozitiv”.

“Çka nënkupton kjo. Kjo nënkupton se ne duhet të angazhohemi që raporti i KE-së të jetë sa më pozitiv dhe para së gjithash Kuvendi të miratojë ligjin e Prokurorisë publike”, ka thënë Dimitrov. (koha.mk)

Comments are closed.