Bisedimet me Greqi për zgjidhjen e kontestit kohë më të gjatë ishin në ngecje dhe nevojitet qasje pozitive, e jo “nacionalizëm sipëfaqësor”, deklaroi shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov sot në Prilep.
“Tani qasja jonë kryesore është që t’ua marrim argumentet, të cilat do ta vështirësonin bllokadën dhe të mos parashtrojmë argumente, të cilat do ta betononin bllokadën, të punojmë në kthimin e miqve të vjetër dhe në përfitimin e miqve të rinj, sepse që ta zgjidhim këtë problem, duhet të kemi miq”, theksoi shefi i diplomacisë së Maqedonisë. Ai theksoi se Maqedonia me çdo kusht përpiqet të bëjë mik edhe nga Greqia.
Në pyetjen nëse me presidentin Gjorge Ivanov është arritur ndonjë konsensus për vendet e ambasadorëve, Dimitrov deklaroi se procesi është në fazë përfundimtare.
“Kemi pothuajse harmonizim të plotë për raundin e parë të ambasadorëve dhe me sigurim theksi do të vendoset në karrierën dhe diplomacinë, sepse kam trashëguar mosbalancim të madh mes ambasadorëve të vendosur politik dhe njerëzve, të cilët e punojnë diplomacinë si profesion”, thotë Dimitrov. Ai tha se është optimist për fillim të bisedimeve vitin e ardhshëm të Maqedonisë me BE-në.
“Nëse nuk jam optimist nuk do të mund të punoj, sepse është vështirë të punohet diçka në të cilën nuk besohet. Mendoj se kemi shanse dhe nuk ka mbaruar ende gjithçka, kemi akoma punë, por do të bëj gjithçka që t’i bind fqinjët tanë, Brukselin dhe të gjitha anëtaret e BE-së, se kjo është shumë e mirë edhe për Maqedoninë, por edhe për vetë Evropën”, shtoi ai. Shefi i diplomacisë theksoi se madje edhe disa nga vendet evropiane janë inspiruar nga ajo që po ndodh në Maqedoni.
Për deklaratën e djeshme të shefit të diplomacisë greke Nikos Koxias, për atë se ai asnjëherë nuk e ka ndërlidhur kontestin për emrin me gjuhën ose çështje tjera, Dimitrov u përgjigj se nuk është e zakonshme që një ministër grek të parashtrojë një qëndrim të këtillë. “Në njëfarë mënyre, me pjekurinë tonë gjithë rajoni ka filluar të shkojë në drejtim të ngjashëm”, tha Dimitrov.