Shkup, 18 prill – Në një skenar ideal zgjidhja për kontestin me emrin mund të arrihet në dy apo tre muajt e ardhshëm, ndërsa urgjenca për zgjidhjen është e diktuar nga treni evropian, porositi shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov në intervistën për gazetën franceze “La Kroa”, të cilën e transmeton MIA.
Në atë kontekst Dimitrov i përmendi Samitin për Ballkanin që do të mbahet në maj në Sofje, pesëmbëdhjetë vite pas Samitit në Selanik, por edhe datat për zgjedhje, në vitin 2019 do të mbahen zgjedhje presidenciale në Maqedoni dhe zgjedhje parlamentare në Greqi.
“Po tentojmë të dalim nga hendeku në të cilin jemi groposur mbi njëzet vite. Dy vende evropiane të cilat ndajnë një rajon gjeografik, duhet të mund të gjejnë mënyrë dinjitoze e cila do të mundësojë të bëhet dallimi mes shtetit tonë dhe rajonit Maqedoni që ndodhet në Greqi, pa u lënduar identiteti dhe dinjiteti i popullit të Maqedonisë”, thotë Dimitrov në intervistën e titulluar “Maqedonia po del nga hija”.
Theksoi se duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj mendimit publik në Maqedoni dhe në Greqi.
“Edhe pse dy vendet tona kanë pozita të ndryshme, ndonjëherë ndodh të gjendemi në anën e njëjtë me forcat politike të cilat dëshirojnë kompromis, e ato janë forcat të cilat shikojnë drejt së ardhmes, e të cilat u kundërvihen forcave nga e kaluara dhe nacionalizmit”, shtoi ai.
Në pyetjen se çka do të bëjë pala e Maqedonisë me përmendoret e shumta nacionaliste në Shkup, Dimitrov theksoi se kthimi obsesiv drejt kohërave antike nuk është i shëndoshë.
“Duke mbështetur mitet, i humbim brezat e reja. Ministria e Kulturës duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me “Shkupi 2014″ – Projekt i madh arkitektonik i antikuzimit të cilin e zbatoi shumica e mëparshme nacionaliste. Personalisht, do të sugjeroja organizimin e një konkursi të madh të artit botëror i cili do t’i jepte kuptim gjithë kaosit në qytet. Përmes debatit publik, aeroporti i Shkupit i quajtur Aleksandri i Madh në kundërshtim të madh nga Greqia së fundmi u riemërtua”, theksoi shefi i diplomacisë.
Sa i përket perspektivave për integrim të Maqedonisë në BE thotë se presidenca bullgare paraqet mundësi të shkëlqyer që Bashkimi të kthehet ndaj Ballkanit.
“Rruga drejt integrimit të plotë do të jetë e gjatë. Nëse nuk arrijmë të sjellim Evropën në Maqedoni, të vendosim rregulla, drejtësi, rend, atëherë gjeneratat e reja do të vazhdojnë të largohen nga vendi si dhe rajoni i Ballkanit për shkak të mungesës së shpresës. Për fat të mirë, disa kanë filluar të kthehen”, shtoi ai.
Në lidhje me solidaritetin nga ana e vendeve të cilat ishin pjesë e ish Jugosllavisë Dimitrov theksoi se tani është koha për tejkalim të mosmarrëveshjeve.
“Erdh koha që ne Ballkanit t’ia lëmë grindjet tona – cili është populli më i vjetër, që i dha viktimat më të mëdha dhe t’i përveshim krahët për të investuar në ekonomi, arsim dhe shëndetësi”, thotë ai.
Kujtoi se Maqedonia tanimë ka nënshkruar Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, ndërsa në dhjetorin e kaluar, ka mbajtur seancë të përbashkët qeveritare me Shqipërinë fqinje, seanca e parë nga vitit 1991.
“Nuk dua të jem i bezdisshëm, megjithatë është paraqitur një energji e re në rajon dhe kjo dinamikë e re kryesisht është e nxitur nga Maqedonia”, theksoi Dimitrov në intervistën për La Kroa, të cilën e transmeton MIA.