Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në një intervistë për televizionin beogradas TV N1 gjatë vizitës së tij në Beograd, deklaroi se ai nuk do t’i kundërpërgjigjet shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiq për deklaratën e tij nga java e kaluar në një konferencë shtypi me Nikos Koxiasin, se është gabim që Serbia e njohu Maqedoninë nën emrin e saj kushtetues. “Mendoj se deklaratat e tilla nuk ndihmojnë. Ne jemi ministra të dy vendeve, i përfaqësojmë të dy popujt, popujt e afërt. Kemi histori të përbashkët në Jugosllavi, do të jemi së bashku, shpresoj në një të ardhme jo shumë të largët në Bashkimin Evropian dhe në një farë mënyre afërsinë tonë nuk mund të prishë asgjë. Por, kjo varet prej nesh nëse do të ketë “ngacmime” dhe herë pas here “pickime” ose ne do të jemi si vëllezër”, tha Dimitrov. Duke iu përgjigjur pyetjes për Kosovën, Dimitrov tha se Maqedonia në kontestin midis Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të jetë lojtar i madh. “Ne ndajmë kufirin dhe është në interesin tonë të zgjidhim këtë problem në mënyrën më të mirë të mundshme për të dy palët në bisedimet në të cilat ndërmjetëson Brukseli dhe Federika Mogerini. Ne kemi probleme të mjaftueshme dhe nuk do të dëshiroja të bëhemi dëm kolateral në këtë dinamikë”, tha Dimitrov për TV N1. E gjithë intervista e Nikolla Dimitrovit për TV N1 – i cili është partner i Si- En – En për Serbinë, Kroacinë dhe BeH, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë e dha gjatë vizitës së tij në Beograd në konferencën e Fondit Evropian për Ballkanin, do të transmetohet të martën në emisionin “Dita e Re”.